Opozita ka thirrur një tjetër seancë të jashtëzakonshme në përpjekje për t’ia vendosur me rezolutë presidentit Thaçi vijat e kuqe në dialog.
Edhe udhëheqës të partive në pushtet kanë alarmuar për rreziqet që i kanosen Kosovës si pasojë e mungesës së konsensusit rreth dialogut me Serbinë, shkruan sot “Koha Ditore”. Por tentativat e deritashme të pushtetit dhe opozitës për një Platformë të përbashkët kanë rezultuar të dështuara.
Nëntori është paralajmëruar të jetë muaji i vendimeve të mëdha, sa i përket fazës përfundimtare të dialogut me Serbinë, e cila nuk e përjashton asnjë opsion nga tavolina e diskutimit.
Kryesia e Kuvendit do të mblidhet të hënën (sot) për të vendosur nëse do të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme për debat parlamentar lidhur me angazhimet e presidentit për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjimit të kufijve” në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas kërkesës së 42 deputetëve./ F.Gashi