Pas dy ditë debati, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur ta miratojnë rezolutën e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila synonte t’ia ndalonte presidentit Hashim Thaçi të zhvillonte dialog me Serbinë për çështjen e territorit.
Rezoluta e përkrahur nga Lëvizja Vetëvendosje, mori 50 vota nga 90 deputetë sa ishin në sallë. Pas këtij dështimi, deputetët opozitarë lëshuan seancën, ndërsa Kuvendi i vazhdon nesër punimet me seancën e rregullt.
Partitë opozitare LDK dhe Vetëvendosje kanë dështuar të sigurojnë mbështetje për ta votuar rezolutën e propozuar përmes së cilës synonin ta ndalonin presidentin Hashim Thaçi për të dialoguar për territorin e Kosovës në Bruksel. Edhe pas tentimeve të grupeve politike për t`u takuar dhe për ta shikuar mundësinë e harmonizimit mes pozitës dhe opozitës, shefat e grupeve parlamentare, pas një orë takimi, dolën pa rezultat.
Propozuesit e seancës së jashtëzakonshme, LDK dhe Vetëvendosje, kërkuan që të vihet në votim rezoluta me vetëm një pikë.
Mirëpo përfaqësues të partive në koalicionin qeverisës u shprehën kundër për votimin e kësaj rezolute duke konstatuar se ajo nuk është e harmonizuar me të gjitha grupet parlamentare.
Ndërsa përfaqësues të PSD-së, ndonëse votuan për rezolutën e propozuar nga LDK dhe Vetëvendosje, ajo nuk kaloi për shkak se nuk kishte kuorum në votim.
Për votuan vetëm 50 deputetë. Për rrjedhojë u përmbyll seanca e jashtëzakonshme e cila të mërkurën nisi paradite dhe përfundoi në orët e mbrëmjes pa ndonjë konsensus mes partive politike pozitë e opozitë.