Është fjala pikërisht për ish-ministrin e Drejtësisë, Mihajlo Manevski, një ndër protagonistët e megaskandalit të përgjimeve që nxori sheshit brishtësinë e institucioneve të sistemit, apo thënë më mirë atë që në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian u cilësua si shtet i kapur. Në shkrimin autorial për portalin Republika të afërt me VMRO-DPMNE-në, Manevski akuzon kryeministrin, duke e cilësuar si ‘kryetradhtar’, për atë që ai e quan, fshirje të vendimeve të Këshillit Antifashist të Çlirimit Kombëtar të Maqedonisë(ASNOM), nga koha e Luftës së Dytë Botërore.
Mospërmendja e këtyre vendimeve në Preambulën e Kushtetutës, sipas Manevskit, i gropos për jetë të jetëve vendimet shtetformuese të këtij parlamenti të luftës, për shkak se, thotë ai, Proklamata e KAÇKM-së nuk është akt juridik: “Maqedonia po shpërfytyrohet dhe popullit maqedonas po reduktohet në qytetarë të shtetit pa rrënjë. Këtë po e bën tradhtari Zoran Zaev dhe klika rreth tij, Nikola Dimitrov e Radmila Shekerinska, nën drejtimin e plotë të frontmenit të BDI-së, Bujar Osmani, i cili mban në dorë flakadanin për shpërbërjen e Maqedonisë dhe për zbatueshmërinë e plotë të Platformës së Tiranës”, shkruan ish-ministri i Drejtësisë duke kundërshtuar përfshirjen në Preambulë edhe të Marrëveshjes së Ohrit për të cilën pretendon se nuk mund të jetë element i konstituimit të Maqedonisë: “Kjo domethënë se themel i Maqedonisë së Veriut, shtetit më të ri të botës, është Marrëveshja Kornizë e Ohrit”, nënvizon Manevski për të përfunduar se “Maqedonia po vdes në shekullin XXI’ dhe gjithë këtë ia mvesh asaj që ai e quan ‘qeveri kapitulluese e korruptuar, marrëveshje kapitullimi dhe amendamente kapitullimi”.