Joaquin “El Chapo” Guzman del para gjyqit në Nju Jork, nën akuzën e drejtimit të kartelit më të madh të drogës në botë, si dhe për trafikimin e më shumë se 155 tonëve kokainë në Shtetet e Bashkuara përgjatë një çerekshekulli.
Gjyqi në Brooklyn, që do të kushtojë miliona dollarë dhe pritet të zgjasë për më shumë se 4 muaj, do të shohë një nga kriminelët më të famshëm të botës të përballet me sistemin amerikan të drejtësisë.
Prokurorët kanë shpenzuar vite duke mbledhur bashkë provat për një çështje kundër Guzmanit, që u ekstradua në vitin 2017 pasi u arratis dy herë nga një burg në Meksikë, herën e parë i fshehur në një kosh rrobash të palara dhe më pas duke dalë nga një tunel i gërmuar nën qelinë e burgut.
Ekspertët thonë se qeveria e ka të lehtë ta dërgojë 61-vjeçarin Guzman në një burg të sigurisë së lartë për pjesën e mbetur të jetës, pasi një juri të ngrihet këtë të hënë, por me çfarë çmimi.
Karteli i Sinaloas, që Guzman themeloi në vitin 1989, është ende shumë i fuqishëm. Bashkëpunëtori i tij kryesor, Ismael “El Mayo” Zambada mbetet në arrati dhe trafiku i dhunshëm i drogës vazhdon në Meksikë.
Vitin e kaluar, vendi përjetoi një shifër rekord vrasjesh prej 29 mijë vetësh. Në SHBA, varësia ndaj opioidëve është shndërruar ndërkohë në një epidemi. Në vitin 2016, një mesatare prej 174 amerikanësh humbte jetën çdo ditë si pasojë e mbidozës.
Anëtarët e jurisë, që do të zgjidhen në këtë proces, do të shoqërohen nga masa të larta sigurie, të rezervuara për të akuzuarit më të rrezikshëm. Gjykatësi amerikan, Brian Cogan do të drejtojë çështjen pas dyerve të mbyllura.