Spanja nuk i lejon flamurin e as emrin e Kosovës në Botëror

Tuesday, 06 November 2018 09:34

Emrat e karateistëve kosovarë janë paraqitur në listën e pjesëmarrësve të kampionatit botëror të karatesë, që të martën (sot) nis në Madrid të Spanjës.

Por në listën e gjatë në sajtin zyrtar (sportdata.org) nuk figuron askund emri i Kosovës. Kosova do të paraqitet me 13 karateistë në botërorin për seniorë, që pritet të garojnë pa simbole të vendit.

Se trajtimi ndaj garuesve të Kosovës nuk është i njëjtë me atë ndaj garuesve të tjerë dëshmon lista e publikuar e pjesëmarrësve. Në vend të emrit "Kosova", figuron shkurtesa WKF5, një shkurtesë e Federatës Botërore të Karatesë për të identifikuar karateistët nga Kosova.

Nga organizatori nuk janë dhënë informata për trajtimin e pabarabartë të karateistëve kosovarë, ndërsa nga Federata e Karatesë e Kosovës janë dhënë pak detaje. Drejtuesit e Federatës së Karatesë së Kosovës kanë bërë të ditur se po përballen me telashe politike në botërorin që nis të martën në Spanjë./ Arsim Maxhera

Login to post comments