Thaçi për gazetën franceze: S’mund ta ndryshojmë të kaluarën mes Kosovës dhe Serbisë, por të ardhmen po

E Enjte, 15 November 2018 10:44

“Nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën: Serbia dhe Kosova kanë qenë në luftë. Por, mund ta ndryshojmë të ardhmen duke ndërtuar paqe mes nesh”, ka thënë presidenti Hashim Thaçi, në një intervistë për gazetën franceze “The Point”, transmeton KosovaPress..

Gazeta franceze shkruan se “dhjetë vite pas shpalljes së pavarësisë, negociatat në mes Serbisë e Kosovës janë në qorrsokak” dhe se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është shprehur se Kosova dhe Serbia janë “me kilometra larg çfarëdo marrëveshjeje”.

Por, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sipas medias franceze, dëshiron të ndërtojë paqe të qëndrueshme me armikun e deritashëm.

Në intervistën për gazetën ai thotë se pengesë janë narrativët tragjikë.

“Në Serbi, opinioni publik vazhdon të besojë se Kosova është djepi i Serbisë. Prandaj na duhet kohë që t’u shpjegojmë qytetarëve të vendeve tona se është në interesin tonë të përbashkët që të ndërtojmë marrëdhënie të qëndrueshme”.

“Interesi i përbashkët është që Kosova të njihet nga Serbia, negociatat për anëtarësim në BE, anëtarësimi në Kombet e Bashkuara. Rajoni i Ballkanit ka nevojë për stabilitet”, ka thënë presidenti Thaçi dhe ka shtuar se “Për të arritur këtë na duhet mbështetja e BE-së dhe, natyrisht, e presidentit Macron pasi Franca gjithmonë ka qenë në ballë të përpjekjeve për të mbrojtur paqen”.

Duke folur për Kosovën, presidenti Thaçi ka thënë se “Kosova është demokracia më e re në Evropë, me shumë armiq që mundohen të dobësojnë Kosovën duke e paraqitur si shtet të korruptuar. Por ne jemi demokraci e qëndrueshme, me sundim të ligjit e ligje liberale. Ekonomia është në gjendje të mirë. Bashkimi Evropian është shpresa jonë e vetme: ne dëshirojmë të jemi pjesë e kësaj familjeje. Qytetarët e Kosovës janë mbi 95 për qind në favor të BE-së dhe NATO-s dhe ne po punojmë që të fuqizojmë institucionet e shtetit tonë”.

Ndërsa, për identitetin e Kosovës, presidenti Thaçi ka thënë se “Bashkimi Evropian nuk është klub i kombeve të krishtera. Identiteti janë fetar është prodhim i historisë. Por, edhe pse popullata është me shumicë myslimane, ne nuk jemi shtet islam. Katedralja në Prishtinë është më e madhja në rajon. Në familje kam myslimanë, por edhe të krishterë. Të mos lejojmë që paragjykimet dhe populizmi të helmojnë realitetin. Për 20 vite ne kemi luftuar xhihadistët. Gjatë luftës kemi qenë shumë të kujdesshëm që të mos lejojmë që luftëtarë të huaj me motive fetare të hyjnë në radhët tona në luftën kundër Serbisë. Nuk kemi pranuar të njolloset lufta ynë legjitime. Sot jemi në ballë të luftës kundër DAESH dhe Al-Qaeda”.

Për gjasat për marrëveshje me Serbinë “status quo-ja e tashme është problematike dhe na pengon që të lëvizim përpara. Duhet të punojmë për të ardhmen. Franca dhe Gjermania kanë arritur këtë”.

“Nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën: Serbia dhe Kosova kanë qenë në luftë. Por, mund ta ndryshojmë të ardhmen duke ndërtuar paqe mes nesh”, ka përfunduar presidenti Thaçi.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...