Në Greqi është shtyrë seanca parlamentare për votimin e marrëveshjes së Prespës, që i jep fqinjit verior të shtetit helen emrin Maqedonia e Veriut.
Vendimi është marrë në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, e cila e ka caktuar votimin për të premten në orën 14 e 30.
Kujtojmë që më parë, marrëveshja e Prespës vuri në rrezik koalicionin qeverisës në Greqi.
Partia Grekët e Pavarur doli nga koalicioni pasi lideri i saj Panos Kamenos dha dorëheqjen nga posti i ministrit të Mbrojtjes pikërisht për shkak të rezervave ndaj akordit të arritur qershorin e kaluar me Shkupin.
Megjithatë, pavarësisht largimit të partnerit qeverisës, javën e kaluar qeveria e Aleksis Tsipras i mbijetoi votëbesimit në Parlament, duke marrë dritën e gjelbër për të vijuar me votimin e ujdisë.