Vendosmëria e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj për të mos hequr taksën ndaj mallrave serbe ka rritur dinjitetin dhe autoritetin e shtetit të Kosovës, sikurse ka acaruar në kulm Serbinë e veçanërisht presidentin serb Vuçiç. Pala serbe e shikon vendimin e kryeministrit Haradinaj jo vetëm se Serbisë i ikin qindra milionë euro nga ky veprim kosovar, por edhe si prekje të autoritetit serb në Rajon. Nga ky vendim përveç palës serbe, çuditërisht është mërzitur edhe presidenti Hashim Thaçi, një ish-luftëtar i rëndësishëm i UÇK-së, që tashmë është futur në një lojë të rrezikshme për fatet e Kosovës dhe është bashkuar më Presidentin serb Vuçiç.
Pra kundër taksës së vendosur nga qeveria e Kosovës janë dy veta: Thaçi dhe Vuçiç, të cilët kanë dërguar sinjale në BE e në SHBA se është pikërisht kjo taksë, e cila po bëhet pengesë për marrëveshjen mes Serbisë dhe Kosovës. Por tashmë të gjithë e dijnë në Kosovë, edhe në Shqipëri, se marrëveshja synon një akt antikombëtar, duke i hequr toka kombit shqiptar, sidomos pjesën më të rëndësishme të Mitrovicës. Bile edhe Kulla e heroit të kombit shqiptar, Isa Boletinit, kalon në shtetin serb, nëse firmoset marrëveshja mes Vuçiç dhe Thaçit.
E parë në këtë kontekst kjo tarifë për mallrat serbe mbetet një vendim i kryeministrit Haradinaj, që shquhet për patriotizëm dhe mos tërheqje nga tarifa, deri sa Serbia të njohë shtetin e Kosovës.
Por edhe në Shqipëri, praktikisht nga biznesi, kjo tarifë ndaj mallrave serbe ka rritur me 44.5 % eksportin nga Shqipëria në Kosovë, që prej vendosjes së tarifës 100 përqind nga Prishtina zyrtare ndaj mallrave që importohen nga Serbia.
Sipas Alban Zusit, një ekspert në fushën e ekonomisë, kjo ka shtuar eksportin e Shqipërisë dhe po sjellë me shumë të ardhura në disa dhjetra milionë euro për në Shqipëri, pasi më parë shkonin në Serbi. Realisht kjo masë ndaj mallrave serbe, po i shërben edhe më shumë bashkimit, de facto, ekonomik të dy shteteve, Kosovës dhe Shqipërisë. Sa gjithë retorikat e kryeministrit Rama me presidentin Thaçi, ky vendim është historik, patriotik dhe me leverdi ekonomike për biznesin shqiptar.
Çuditërisht kryeministri Rama është bashkuar me dyshen Thaçi-Vuçiç, kur ekonomia shqiptare po njeh rritje për shkak të kësaj takse kosovare ndaj Serbisë.
Megjithatë dyshja Vuçiç-Thaçi, mundet edhe me fshehtësinë e kryeministrit Rama, po mundohen ta rrëzojnë kryeministrin Haradinaj dhe qeverinë e tij. Hapur nuk dalin dot, pasi pothuaj të gjitha partitë shqiptare në Kosovë, por edhe në Shqipëri janë pro vendimit të kryeministrit Haradinaj. Ndaj kanë financuar dhe po krijojnë faktorin grevë ndaj qeverisë. Po sajojnë greva që të rrëzojnë qeverinë Haradinaj dhe më pas të heqin taksën ndaj Serbisë dhe të ecin në udhën e tyre të copëtimit të Kosovës.
Prandaj grevës në arsim e asaj në shëndetësi në Kosovë së shpejti mund t’i bashkohen edhe shërbyesit civilë, të cilët, po ashtu, po kërkojnë rritje të pagave. Sipas deputetëve, buxheti i shtetit nuk i përballon të gjitha këto kërkesa, ndërsa analistët politikë vlerësojnë se masivizimi i grevave e rrezikon Qeverinë “Haradinaj”
Mësimdhënësit dhe një pjesë e personelit mjekësor tashmë më shumë se dy javë po vazhdojnë të jenë në grevë, për shkak të mosrealizimit të kërkesave të tyre për rritje të koeficientit, që nënkupton rritjen e pagave. Grevës së këtyre dy institucioneve publike sot do t’i bashkëngjiten edhe shërbyesit civilë të komunës së Prishtinës, të cilët po ashtu po kërkojnë rritje të pagave, derisa greva është paralajmëruar edhe nga shërbyesit civilë të komunave tjera.
Analistë të çështjeve politike në vend kanë vlerësuar se ditën e sotme shteti do të futet në vakuum institucional dhe se nëse nuk merren veprime serioze për grevat, ato mund ta fusin në krizë të thellë Qeverinë e po ashtu ta dërgojnë vendin në zgjedhje të parakohshme.
Pra skenari po thuret në Prishtinë e Beograd. Në çdo shtet njerëzit dhe të punësuarit duan me shumë paga, me shumë mirëqënie, etj, porse në rastin në fjalë janë pas tyre dy presidentët, Vuçiç dhe Thaçi që të rrëzojnë kryeministrin Haradinaj.
Kryeministri Rama hapur akoma nuk del se nuk ka mirë punët në Tiranë me datë 16 shkurt. /Koha Jonë/