11 parimet e Platformës së dialogut Kosovë-Serbi (Dokument)

Premte, 15 February 2019 11:13

Ekipi negociator për dialogun Kosovë-Serbi, ka hartuar platformën lidhur me këtë proces, platformë kjo e cila pritet të votohet nga Kuvendi i Kosovës.

Draft- Platforma e hartuar, i jep goditje idesë së presidentit Hashim Thaçi për korrigjim e kufijve. Në draft- platformën të cilën e ka siguruar Telegrafi, theksohet qartë se sovraniteti i Kosovës është i padiskutueshëm.

Ekipi negociator në këtë draft-platformë ka përmendur 11 parimet kryesore, mbi të cilat do të zhvillohet dialogu Kosovë-Serbi dhe pritet të arrihet edhe marrëveshja me Serbinë.

Në këto parime përveç çështjes së sovranitetit të Kosovës, përmenden edhe çështja e të pagjeturve.

Po ashtu theksohet se marrëveshja përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme duhet tё jetё e çartë dhe pa dykuptimësi.

Më poshtë ju sjellim parimet e plota dhe përmbajtjen e tyre:

Parimi 1, thekson se qëllimi kryesor i Republikës së Kosovës është që nga Republika e Serbisë të sigurojë njohjen dhe pranimin e qartë të sovranitetit të Kosovës, si shtet i pavarur, me zotime ligjërisht të detyrueshme:

(a)të ndërpresë të gjitha aktivitetet që pengojnë Republikën e Kosovës në rrugën drejt njohjes ndёrkombёtare si shtet i pavarur dhe sovran;

(b)të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës;

(c) të heqë dorё nga kundërshtimi, ose ndikimi mbi palët e treta që të kundërshtojnë, çfarëdo aplikimi nga Republika e Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare përfshirë Kombet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës, OSBE-në, dhe agjencitë e tyre; dhe

(d) të heq dorё nga të gjitha format e ndërhyrjes në çështjet e brendshme apo marrëdhëniet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës. Republika e Kosovёs beson se kjo ёshtё e vetmja mënyrë efektive për të nxitur bashkëpunimin midis dy shteteve, për të arritur progres në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve, siç edhe parashihet nga Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të datёs 9 shtator 2010.

Në parimin 2 përmendet qartë se nuk ka marrëveshje për asgjë deri sa të mos ketë marrëveshje për gjithçka. Siç ёshtё theksuar nё Parimin 1, njohja e ndërsjellë duhet tё jetё rezultati primar, shkruan Telegrafi.

Parimi 3 sipas kësaj platforme thuhet se: Kushtetuta e Kosovёs e cila ka pёrfshirё obligimet e dala nga Plani i Ahtisaarit nuk është e hapur për negocim. Ky Plan shënoi pёrmbylljen e njё procesi tё negociatave tё autorizuara nga Kombet e Bashkuara për statusin përfundimtar të Kosovës dhe mori përkrahjen e shumicës së bashkësisë ndërkombëtare si zgjidhja përfundimtare. Plani shpreh në mënyrë eksplicite atë që kërkohej nga të dyja palët për arritjen e një zgjidhjeje të drejtë, duke imponuar një sërë koncesionesh mbi Republikën e Kosovës pёr ofrimin e garancive për të drejtat e komuniteteve në Kosovë, veçanërisht komunitetin serb. Kosova i ka zbatuar me përkushtim tё gjitha dispozitat e Planit të Ahtisaarit.

Parimi 4: Objektivat politike të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut synojnë zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura me Republikën e Serbisë, duke përfshirë:

(a) heqjen e të gjitha pengesave të mbetura ndaj ushtrimit të pavarur të kompetencave sovrane të qeverisjes, në përputhje me parimet e mosintervenimit dhe mos-ndërhyrjes;

(b) avancimin e të drejtave të komunitetit shqiptar që jetojnë në Republikën e Serbisë, në reciprocitet tё plotё me komunitetin serb në Republikën e Kosovës;

(c) promovimin e respektimit nga të gjitha palët e së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe refugjatët, së bashku me standardet përkatëse ndërkombëtare të qeverisjes demokratike, llogaridhënëse dhe transparente; dhe

(d) krijimin e mekanizmave të përshtatshëm për të adresuar krimet e luftës, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe drejtës humanitare, përfshirë zbardhjen e fatit tё tё pagjeturve, si dhe reparacionin.

Parimi 5: Marrëveshja përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme duhet tё jetё e qartё dhe pa dykuptimёsi. Pёrvoja tregon se qasja e dykuptimёsisё konstruktive ka rezultuar nё zbatimin asimetrik të marrëveshjeve të arritura deri më tani. Kjo praktikë mund të rezultojë me stagnim dhe mosmarrëveshje eventuale. Dialogu duhet të vazhdoj derisa të dyja palët të ndajnë një kuptim dhe interpretim të përbashkët të asaj se çfarë është rënë dakord.

Parimi 6: Çdo marrëveshje përfundimtare duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila parasheh që “sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj” (Neni 2(2)). Integriteti territorial i Kosovës garantohet gjithashtu nga e drejta ndërkombëtare.

Parimi 7: Në Republikën e Kosovës nuk mund të ketë një nivel tjetër të qeverisjes përveç nivelit lokal dhe qendror. Republika e Kosovës është e përkushtuar për respektimin e dispozitave të Kushtetutës dhe Planit të Ahtisaarit për bashkëpunimin ndër-komunal, por këto dispozita nuk mund të rezultojnë në nivel tjetër të qeverisjes.

Parimi 8: Në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e saj, të drejtat mbi burimet natyrore dhe asetet të cilat janë në territorin sovran të Republikës së Kosovës, janë ekskluzivisht të Republikës së Kosovës dhe rrjedhimisht nuk janë të hapura për negociim.

Parimi 9: Pёr Republikёn e Kosovёs marrëveshja përfundimtare, ligjërisht e detyrueshme hyn nё fuqi, vetёm pas plotёsimit tё kushteve nё vijim a) Serbia ka njohur Kosovёn si shtet të pavarur dhe sovran, b) referendumi pёr marrёveshjen ёshtё mbajtur nё Kosovё, dhe c) marrёveshja ёshtё ratifikuar nga Kuvendet e tё dyja shteteve.

Parimi 10: Para dakordimit lidhur me formatin dhe rrjedhën e procesit të dialogut, Republika e Kosovës do të kërkojë masa të ndërtimit të besimit nga Republika e Serbisë. Këto masa përfshijnë:

(a) Zotimin që, në kuadër të marrëveshjes për të gjitha çështjet e tjera, delegacioni serb e ka autoritetin që të bie dakord për Parimin 1;

(b) Zotimin nga Republika e Serbisë se do t’i ndërpresë menjëherë të gjitha aktivitetet diplomatike apo aktivitetet tjera që synojnë të pengojnë ose minojnë njohjen e Kosovës nga shtetet e tjera gjatë kohës sa dialogu është duke vazhduar, dhe se do të përmbahet nga kundërshtimi, ose nga inkurajimi i shteteve të tjera për të kundërshtuar, i aplikimeve të vazhdueshme të Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

Parimi 11: Në ushtrimin e mandatit të tij, Delegacioni Shtetëror do të funksionoj nёn premisat si nё vijim:

11.1 Transparenca: Delegacioni do të sigurojë informim të rregullt publik dhe parlamentar mbi ecurinë e dialogut.

11.2 Gjithëpërfshirja: Procesi negociues do të zhvillohet në atë mënyrë që të mundësojë përfaqësimin e interesave të gjithë qytetarëve të Kosovës. Do të ketë një përbërje të gjerë të Delegacionit Shtetëror, të komisionit mbikëqyrës parlamentar dhe të organeve të tjera të përfshira në këtë proces.

11.3 Qasja: Për ato grupe tё interesit që nuk përfaqësohen, Delegacioni Shtetёror do të krijojë një mekanizëm kontakti për të mundësuar pjesëmarrjen efektive në proces. Qёndrimet dhe sygjerimet e tilla do të merren parasysh dhe do të bëhen publike.

11.4 Konsensusi politik: Çdo herё që është e mundur, pozicionet negociuese duhet të merren nё konsensus politik midis partive parlamentare. /Telegrafi/

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...