Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj vijon të qëndrojë taksës së vendosur për produktet serbe, edhe pse herë pas here duket sikur jep sinjale tërheqje. Gjithsesi, në Akademinë Përkujtimore me rastin e 29- vjetorit të vrasjes së heroit Enver Hadri, Haradinaj ripërsëriti se taksa ndaj Serbisë nuk do të hiqet dhe se ajo pengon fomalizimin e ndarjes së vendit.
Kryeministri kosovar theksoi gjithashtu se nuk do të pranojë që t’i japë territor Serbisë, vetëm që ky shtet të njohë pavarësinë.
“Sot, 20-vjet pas çlirimit dhe kur po hyjmë në dekadën e dytë të pavarësisë, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u devijua nga disa çarqe në Kosovë e Bruksel, duke u shndërruar në dialog për territore. Prandaj sot na duhet shembulli i heroit tonë Enver Hadri që të mos na përsëritet historia. Vendosmëria për të qëndruar në të drejtën e Kosovës së 17 shkurtit, është rreshtim në anën e drejtë të historisë dhe ne po ashtu me veprimin e marrë për të bllokuar mallrat e Serbisë, pra taksa 100%, është po ashtu veprim që pengon formalizimin e një ndarje. Kosova nuk jep tokë për njohje dhe nëse ky është çmimi, Kosova nuk ka nevojë për njohjen e Serbisë”- është shprehur Haradinaj.
Ndërkohë, zyrtarë në Prishtinë ka hedhur poshtë edhe një marrëveshje të pretenduar midis Kosovës dhe Serbisë, e cila është publikuar në rrjetet sociale, të cilën e konsiderojnë ‘provokim nga shërbimet sekrete serbe’.