Policia greke, ELAS njoftoi të hënën arrestimin e 14 personave të dyshuar që thuhet se kishin krijuar një grup të prostitucionit, që “punësonte” kryesisht vajza rreth 20-vjeçare. Ky grupim thuhet se rekrutonte gra të reja në bare dhe klube nate në pjesë të ndryshme të Athinës, e prostitucioni ushtrohej në hotele luksoze të zonës, shkruan gazeta helene “Ekathimerini”.
Hetuesit gjetën prova se 45 gra kishin punuar për bandën në tre muajt e fundit, duke kryer një mesatare prej 30 “takimesh” në një ditë me një pagesë minimale që shkonte në 130 euro. Pjesa më e madhe e shumës merrej nga tutorët, kurse prostitutat merrnin më pak se gjysmën e parave.
Policia greke tha se shumica e vajzave kishin pranuar të rekrutoheshin nga banda e prostitucionit, duke besuar se do të bënin një jetë më të mirë dhe do të kishin të ardhura ekonomike më të shuma.
Vajzat rekrutoheshin nga shtete si Shqipëria, Rumania, Rusia etj. Forcat policore të Greqisë kishin ndjekur prej kohësh aktivitetin e bandës së prostitutave, derisa arrestoi “kupolën” drejtuese të saj dhe anëtarët.