24 mars 1999, ç’bënë shqiptarët e Amerikës kur mësuan sulmin e NATO mbi Serbinë

Diel, 24 Mars 2019 09:14

20 vjet pas fillimit të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë, shqiptarët e Amerikës kanë arsye të krenohen me rolin e tyre në fatet e kombit.

Nga Ruben Avxhiu

24 marsi i sulmit të NATO mbi Serbinë: shiheni këtë foto dhe zgjohuni!

Marsi i vitit 1999 ishte kurorëzim i më shumë se një dekade punë lobuese dhe edukuese në kryeqytetin e vendit më të fuqishëm të botës. Kurse, Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan (NAAC) ishte kurorëzim i mësimeve dhe përvojave të nxjerra nga fitoret e humbjet e pësuara gjatë gjithë kësaj kohe.

Në javët, muajt dhe vitet që i paraprinë ndërhyrjes së NATO-s nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, NAAC kishte dalë në skenë si ndërmjetësuesja më e mirë dhe më profesionale mes pikëpamjeve dhe njohurive të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe qendrimeve dhe politikave amerikane për Kosovën e Ballkanin.

Kur NAAC u themelua një mbasdite pranvere të vitit 1996, në Nju Jork, Kosova sapo ishte lënë jashtë procesit të paqes në Dayton dhe pavarësia e saj dukej se do të bëhej fli në altarin e paqes së madhe ballkanase.

Duke shkruar një libër për këtë organizatë kam pasur kënaqësinë të ndjek rritjen dhe fuqizimin e përgjatë evoluimit të këndvështrimeve amerikane ndaj Kosovës në atë vite kritike të punës sonë në Washington.

NAAC nuk lindi nga asgjëja. Këshilli qendronte në supet e larta të organizatave e shembujve pararendës, që nga Vatra e Nolit dhe Konicës, Rinia Kosovare në Botë, Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane, Degës së LDK-së për Shtetet e Bashkuara, Miqtë e Shqipërisë e dhjetëra organizata të tjera që punuan në vite duke perfeksionuar mënyrat e ndikimit dhe edukimit në makinerinë e politikës së jashtme amerikane.

Mirëpo, Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan ishte padyshim organizata më surperiore për shkak të përbërjes, organizimit modern, njohjes dhe lidhjeve në Washington, kuptimit të politikës amerikane dhe të gjuhës së nevojshme të kohës, të transparencës dhe rrotullimit të ekipit drejtues. Pas pak më shumë se dy viteve në krye të NAAC, Prof.Dr. Sami Repishti ia kishte lënë vendin Ilir Zherkës. Një organizatë në radhë të parë amerikane në formë, organizim dhe veprim, por shqiptare në zemër dhe në interesa, NAAC ishte forca që na duhej në kohën e duhur dhe vendin e duhur.

Ajo ditë fatale e 23 marsit, 1999, kishte koinçiduar me Ditën e Kongresit që NAAC organizonte çdo vit në Washington. Pas takimeve të paradites me një numër kongresistësh të njohur në zyrat e tyre, aktivistët e shquar shqiptaro-amerikanë ishin mbledhur për një drekë të përbashkët.

Në një moment, Afërdita Rakipi, vajza e mërgimtarëve shqiptarë nga Maqedonia, Drejtoresha 27-vjeçare e Komunikimit, që ishte shpirti luftarak i zyrës së NAAC në Washington, u ngrit deklaroi dy gjëra: E para se për shkak të ndryshimeve në agjendë, dreka do të përfundonte 10 minuta përpara kohe, dhe e dyta se NATO kishte filluar bombardimin e objekteve ushtarake në Jugosllavi.

Emocionet ishin të jashtëzakonshme. Aktivistët shqiptarë shumë prej të cilëve i kishin kushtuar gjithë jetën kauzës që nga kohët kur nuk dukej asnjë zgjidhje në horizont, filluan të përqafoheshin me lotë në sy.

Në ekranin më të parë televiziv ishin ndalur për të parë lajmet nga CNN. Mundi nuk kishte shkuar kot.

Në fillim ishte Rambujeja

Më shumë se një muaj më parë, ndërsa bisedimet në Rambuje kishin ngecur në vend, drejtuesit e NAAC ishin pjesë e një grupi të madh shqiptaro-amerikanësh që udhëtuan për të qenë afër bashkatdhetarëve të tyre që përfaqësonin Kosovën në bisedimet më të vështira të shekullit.

Afërdita Rakipi kishte udhëtuar vetëm përpara grupit për të vendosur lidhjet dhe përgatitur kushtet e punës. Kishte biseduar me diplomatë e zyrtarë të angazhuar në negociatat dhe me reporter të ngarkuar për mbulimin e tyre.

Duke folur për gazetën “Illyria” lidhur me ato ditë, ajo vë në dukje sesa e ndryshme ishte ajo kohë, për shkak se revolucioni i ri teknollogjik nuk kishte aguar ende. Sot, mund të shpërndash një mesazh kudo me një klik. Në atë kohë, duhej të ishte present në takime, duhej shpesh të kishe deklarata e printuara me vete në çdo kohë.

Aferdita Rakipi duke biseduar me Prof. Rexhep Qosja, Rambuje, shkurt 1999

“Kur mbërrita në Paris, m’u desh të merrja me qira një telefon cellular, që ishte ende diçka e rrallë, e me të cilin mund të flisje me Amerikën. Celulari vinte me një valixhe, për shkak të komponentëve të shumë që kishte”, tregon Afërdita. “Kjo është mbresëlënëse, duke pasur parasysh se sot mund të flasim me njëri-tjetrin, thjesht duke përdorur orën që mbajmë në dorë, apo një celular aq të vogël sa mund ta zhysim lehtësisht në xhep”.

Njëri prej drejtuesve të NAAC, Harry Bajraktari, tregon se përpara nisjes për në Francë, ata kishin pasur një takim të ngushtë me Sekretaren e Shtetit Madeleine Albright. Me të mbërritur në Rambuje ishin takuar me Ambasadorin Chris Hill, që ishte zyrtari amerikan që ndiqte më nga afër zhvillimet në bisedime.

Bashkë me grupin nga NAAC udhëtuan edhe kongresistët Eliot Engel dhe Sue Kelly, njëri demokrat, tjetra republikane, që të dy bashkëkryetarë të Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin Amerikan.

Shqiptarët me të drejtë druheshin që ta firmosnin marrëveshjen. Nga një anë, ata rrezikonin të mbeteshi peng e një dokumenti që nuk parashikonte pavarësi nga Kosova. Nga ana tjetër, ky ishte një rast i rrallë që mund të hapte rrugën për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për çlirimin e Kosovës.

Përfaqësuesit e Kosovës që ishin të përçarë në atë kohë kishin nevojë për një dëshmi besimi te amerikanët. Kjo dëshmi erdhi në formën më të fortë nëpërmjet NAAC, organizatës më të afërt me administratën amerikane në histori.

Shqiptarët e NAAC, në bashkëpunim me kongresistin Engel ishin sinjali më i fortë që vinte nga SHBA se pavarësia e Kosovës nuk do të mbytej në Rambuje.

Pas largimit të grupit dhe kongresistëve, dy udhëheqës të NAAC-ut, Avni Mustafaj dhe Ekrem Bardha qendruan edhe dy javë të tjera, në Rambuje.

Ekrem Bardha kishte angazhuar shkrimtarin e shquar shqiptar, Ismail Kadare.

Për të ndikuar në bisedimet, Ekrem Bardha organizoi edhe një darkë me pjesëmarrjen e shkrimtarit, Ambasadorit Hill dhe Avni Mustafajit, të cilën e përshkruan edhe një autobiografinë e tij, “Afër dhe larg Shqipërisë”.

“Çdo ditë, bashkë me Ekrem Bardhën, takoheshim në ambasadën shqiptare në Paris me Ismail Kadarenë”, tregon Avni Mustafaji, duke kujtuar përpjekjet e atyre ditëve. “Në fund, morëm pjesë edhe në ceremoninë zyrtare në të cilën përfaqësuesit e Kosovës nënshkruan Marrëveshjen e Rambujesë në Paris”.

Kalendari i ngjeshur i veprimtarisë së NAAC, në ditët përpara fillimit të luftës

Afërdita Rakipi, Drejtoresha e Komunikimit e Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan rreshton serinë e aktiviteteve të NAAC në ditët përpara fillimit të sulmit. I jam shumë mirënjohës për këtë informacion të vyer për historinë e komunitetit tonë.

Ndonëse në atë kohë, puna më e madhe e komunitetit shqiptar ishte kryer, intensiteti dhe larmishmëria e veprimtarive të NAAC është një dritare e jashtëzakonshme në punën që kryente Këshilli në ato vite.

Në 3 mars, 1999, NAAC takohet në Shtëpinë e Bardhë, me Jim Steinberg, Zëvendës Këshilltar i Presidentit Bill Clinton për Sigurinë Kombëtare, Gjeneralin e Brigadës George Casey, të Dërguarin Special të SHBA-së për Ballkanin, Jim Dobbins dhe zyrtarë të tjerë për të diskuruar politikën e Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës, përfshi edhe skenaret për trupa tokësorë dhe bombardime.

March 4—NAAC merr pjesë në konferencën e organizuar nga Instituti i SHBA-së për Paqe.

Mars 7 – NAAC organizon Konferencën për Krizën në Kosovë, në Chicago. Dy fjalimet kryesore mbahen nga Profesor Nicholas Pano dhe analisti i shquar Janusz Bugajski. Mbi 500 shqiptaro-amerikanë nga Chicago dhe rrethinat ndjekin zhvillimet e konferencës.

“Ishte një mbrëmje jo vetëm shumë e pasur me informacionet më të fundit për zhvillimet nga Kosova”, thotë Afërdita Rakipi, “po ishte edhe një prezantim i bukur i punës që po bënte NAAC për komunitetin shqiptar të Chicago-s”.

9 mars – Ilir Zherka dhe Aferdita Rakipi marrin pjesë në Darkën e Komitetit Kombëtar Kongresional Republikan në Washington, DC. Pjesëmarrja ishte e rëndësishme se mbështetja për Kosovën nuk vinte vetëm nga administrata Clinton. Në atë darkë, do të nderohej një nga miqtë më të mirë të shqiptarëve në Washington DC: ish-Senatori Robert Dole.

10 mars – Ilir Zherka dëshmoi në Kongresin Amerikan përpara Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, si pjesë e panelit të dytë të ekspertëve.

Paneli i parë përbëhej nga figura të mëdha të politikës së jashtme amerikane si Henry Kissinger, Robert Dole dhe Gene Kirkpatrick.

13 mars – Gazeta më serioze e kryeqytetit amerikan, “Washington Post”, botoi një opinion nga Ilir Zherka si përgjigje e një artikulli të mëparshëm të shkruar nga Henry Kissinger.

Në atë kohë, një artikull ishte botuar në gazetën serbe “Dnevnik” në të cilën, NAAC akuzohej si organizatë e krijuar dhe financuar nga CIA amerikane.

Periudha në vijim ishte e mbushur me përgatitjen për Ditën Vjetore të Kongresit. Një natë më parë, në 23 mars, Ilir Zherka doli në kanalin e njohur televiziv MSNBC për të folur për hyrjen e mundshme në luftë të SHBA-së në Kosovë.

Pak orë më vonë, skenari nuk ishte më spekullim.

Dita e Kongresit, Dita e NATO-s

Çdo pranverë NAAC organizonte Ditën e Kongresit. Për këdo që ka marrë pjesë në to, kanë qenë ngjarje të paharrueshme. Afërdita Rakipi thotë se ato filluan me nismë të Ilir Zherkës, që shfrytëzoi përvojën e tij si ndihmës kongresional, këshilltar i dy anëtarëve të Kongresit Amerikan.

Në 24 mars, 1999, mbi 100 shqiptaro-amerikanë kishin mbërritur në Washington nga shtete të ndryshme të vendit. Afërdita Rakipi u komunikoi agjendën dhe ndarjen në grupe, si dhe listën kongresistëve dhe këshilltarëve të tyre që do të takonte secili grup dhe oraret.

Ishte gjatë drekës së shtruar të asaj dite, që aktivistët shqiptaro-amerikanë do të mësonin se sulmi kishte filluar. Nga një ekran televiziv në një prej restoranteve do të ndiqnin lajmet më të fundit e pastaj dita do të vijonte me një tjetër frymë.

Në mbrëmje, NAAC kishte organizuar një darkë në Ndërtesën Russell të Senatin Amerikan.

“Ishim shumë krenarë”, tregon për gazetën “Illyria”, Ilir Zherka, që në atë kohë ishte Drejtori Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan. “NAAC kishte qenë një nga mbështetësit kryesorë të përfshirjes amerikane. Gjithë ditën kishim kryer vizita lobuese në Kapitol Hill”.

Në darkën e shtruar në Ndërtesën Russel të Senatit Amerikan, anëtarë të Kongresit ishin vënë në radhë për të mbajtur fjalime mbështetëse. Asnjëherë nuk kishte pasur kaq shumë politikanë amerikanë të interesuar për të folur në një ngjarje shqiptare. Ishte një nga kulmet e historisë së komunitetit shqiptaro-amerikan.

Mes atyre që folën ishin Senatorët e Amerikës, Mitch McConnel dhe Gordon Smith, kongresistët Sam Gejdenson, Eliot Engel, Sue Kelly, James Moran. Joseph Crowley, Peter King e të tjerë. Një fjalim mbajti edhe Jonathan Levitsky, Këshilltar i Posaçëm nga Zyra e Sekretares së Shtetit Madeleine Albright. Kosova ishte në zemër të të gjitha fjalimeve, ndonëse NAAC foli edhe për problemet me të cilat përballeshin shqiptarët në Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi. Mirëpo, lufta në Kosovë kishte lënë çdo gjë në sfond.

“Kam besim te ju”

Vetëm pak ditë më vonë, pas një manifestimi të fuqishëm të shqiptaro-amerikanëve në Washington DC, një grup përfaqësues i udhëhequr nga NAAC, u pritën në një takim të posaçëm në Shtëpinë e Bardhë nga vetë Presidenti Bill Clinton.

Shqiptarët i kërkuan që lufta të mos ndalej deri në fund qoftë edhe duke përdorur trupa tokësorë, apo duke armatosur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dhe Presidenti Clinton u premtoi se nuk do të pranonte asgjë përveç fitores. Ai u kërkoi nga ana e tij që ta ndihmonin t’u tregonte të vërtetën amerikanëve.

Për këtë, një konferencë shtypi ishte organizuar në lëndinën e Shtëpisë së Bardhë, aty ku shpesh vetë presidentët e SHBA-së flasin me median.

Përballë, medias ndërkombëtare, udhëheqësit shqiptaro-amerikanë të NAAC, kryesisht, Ilir Zherka, Avni Mustafaj, Ekrem Bardha dhe Harry Bajraktari iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve, folën për bisedën me Presidentin Clinton, për Kosovën, për luftën e NATO-s, etj.

Mbetet një moment i jashtëzakonshëm për komunitetin tonë, edhe sot kur e shikon 20 vjet më vonë.

Në 24 marsin e vitit 1999, historia e shqiptarëve në Ballkan filloi të ndryshojë për gjithmonë, në mënyra që deri pak kohë më parë dukeshin të pamundura, Aleanca më e fuqishme në historinë e njerëzimit, po vinte në mbrojtje të popullit shqiptar, të luftës së tij të drejtë për liri.

Kjo nuk do të ishte bërë e mundur pa shqiptarët e Amerikës, po në radhë të parë nuk do të ishte bërë e mundur pa rezistencën e madhe e historike, plot sakrifica të popullit heroik të Kosovës. Për fat të mirë në krye të botës së civilizuar, ishte një vend që zgjodhi të veprojë parimisht në kohën e duhur. Për atë i jemi përjetë mirënjohës Amerikës.

Atë ditë, të jashtëzakonshme të 24 marsit 1999, ndërsa vraponte për të dhënë një intervistë, Avni Mustafaj, President i NAAC, u shkëmbye në një nga korridoret e Kapitol Hillit, me Senatorin e Amerikës, Joe Biden.

“Ndalova ta falenderoj që po shpëtonin popullin tonë”, tregon Avni Mustafai, 20 vjet më vonë. “Biden ndaloi dhe më dëgjoi dhe më tha: ‘shiko këtu, ti djalë i ri. E kemi për detyrë të bëjnë atë që duhet, po nuk duam që ju të silleni si ata pastaj’. I thashë, ‘Senator Biden, nuk jemi ata lloj njerëzish’. U largua pastaj me shpejtësi dhe nga larg e dëgjova që më bërtiti: ‘Kam besim te ju!”

20 vjet më vonë, kjo histori e Avniut është nga kujtimet që më bën më shumë përshtypje. Historia na dha një shans që shumë breza para nesh as që mund ta ëndërronim. Se çfarë kemi bërë me këtë mundësi është ende në diskutim. Përvjetori i kësaj ngjarje të madhe, duhet të na bëjë të mendohemi edhe për këtë.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...