Është vetëm 2 vjeç, por pikturat e saj kanë marrë një vëmendje të jashtëzakonshme. Vogëlushja artiste, Lola June, e cila është zbuluar dhe ndihmuar nga shqiptari nga Kosova, Pajtim Osmanaj, ka mahnitur Nju Jorkun. E ëma është parukiere dhe një natë ndërsa darkonin, miku i saj Osmanaj vuri re se Lola po mundohej të vizatonte. Shumë shpejt ai I solli vogëlushes të gjitha materialet e nevojshme për të ngjyrosur. Artistja e vogël ka hapur dhe ekspozita, të cilat mund të konsiderohen të sukseshme.
“E gjithë ekspozita pati 40 vepra, ne shitëm 32 prej tyre. Pra mund të quaj sukses”, tha Pajtim Osmanaj, kurator arti. “Pajtimi, I cili kuroi ekspozitën, pa tek ajo një talent të veçantë në kompozimin me ngjyrat dhe format. Nuk isha shumë e sigurt, por ai ishte I bindur se kjo do të shkonte mirë. Ne kemi pasur dy ekspozita dhe ishin shumë të suksesshme. U surprizova shumë”, tha Lucille Javier, mamaja e Lola June.
Osmanaj tregon se në ekspozitën e parë, pikturat u shitën nga 300 deri në 1800 dollarë, ndërsa në të dytën çmimi arriti deri në 2800 dollarë. Ai gjithashtu thekson se pa marrë parasysh artisten që qëndron pas këtyre veprave, këto çmime janë shumë të lira.