Një person ende i paidentifikuar ka tentuar të hyjë me forcë në bazën ushtarake në Maqedoninë e Veriut. Ministri e Mbrojtjes ka dhënë detaje për këtë incident të ndodhur në bazën “Goce Dellçev” në Shkup, teksa thekson se ushtarët kanë qëlluar me armë dhe për pasojë është plagosur autori, raportojnë mediat vendase.
“Personi edhe më tej nuk i ka dëgjuar paralajmërimet, me ç’rast me njërin plumb është qëlluar në thembrën e këmbës së djathtë. Konform procedurave i është dhënë ndihma e parë dhe është transportuar në spital. Menjëherë janë njoftuar organet kompetente hetuese”, tha ministria e Mbrojtjes.
Policia ushtarake, MPB-ja dhe prokurori publik kanë dalë në vendngjarje dhe po mbledhin informacionet mbi këtë incident.