Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë për gazetën gjermane “Der Spiegel” ka folur për negociatat me Serbinë dhe liberalizimin e vizave.
Haradinaj është treguar i prerë dhe tha se nuk ka dialog me Serbinë, ndërkohë që nuk e ka përmbajtur fjalorin.“Unë nuk do të negocioj me atë bastard”, ka thënë Haradinaj, ndërsa këtë frazë gazeta gjermane e ka vendosur edhe në titull të artikullit.
Der Spiegel e përshkruan kryeministrin kosovar si një qeveritar të rafinuar që pëlqehet shumë në Kosovë.
Sipas gazetës gjermane, ndoshta po të mos ishte Haradinaj me shokët e vet të UÇK-së, sot mbase Kosova nuk do të ekzistonte.“Po mos të ishte Haradinaj dhe shokët e tij, ndoshta Republika më e re në Evropë nuk do të ekzistonte” shkruan Der Spiegel, ndërsa nuk lë pa përmendur edhe nofkën me të cilën e njihnin gjatë kohës së luftës. “Nën nofkën e ‘Smajl’, ai ka komanduar një pjesë të UÇK’së, që kulmoi me kryengritjen kundër forcave okupuese serbe në Kosovë. Sot ai është kreu i një vendi që kërkon vendin e tij në Evropë”, shkruan gazeta.
Kujtojmë se Haradinaj në luftën e Kosovës ka qenë komandant i UÇK-së në Zonën e Dukagjinit dhe dy vëllezërit e tij, Luani dhe Shkëlzeni u vranë në luftë.