Kryeministri I Kosovës, Ramush Haradinaj e ka quajtur gabim që sovraniteti dhe integriteti i Kosovës të paraqitej si pjesë e dialogut me Serbinë.
Haradinaj ka thënë se vendit i është shkaktuar dëm i madh duke bërë pazar me sovranitet.
“Ishte gabim që sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës të paraqitej si pjesë e dialogut me Serbinë. Mbrojtja e këtyre shtyllave të shtetit ka një çmim dhe sot populli i Kosovës është krenar që këto i ka prapë të pacenuara.
Dëmi që i është shkaktuar Kosovës duke bërë pazar me sovranitet dhe integritet është i madh, por bashkë jemi vënë në mbrojtje të shtetësisë, integrimeve euro-atlantike dhe zhvillimit ekonomik”, ka shkruar ai në Facebook.
Reagimi i Haradinajt erdhi pasi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e akuzoi atë se vendimet dhe veprimet e nxituara, të pakoordinuara dhe të gabuara strategjikisht të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, kanë dëmtuar rëndë respektin dhe mbështetjen e partnerëve tanë perëndimorë për Kosovën.