Zyrtarë të ministrisë së Jashtme të Kosovës thanë se do të refuzojnë çdo kërkesë të zyrtarëve të Serbisë për të vizituar Kosovën për shkak të “, propagandës së vazhdueshme dhe lajmeve të rreme”. Vendimi u bë publik nëpërmjet rrjeteve sociale nga Jetlir Zyberaj, këshilltar politik i shefit të diplomacisë së Kosovës, Behgjet Pacolli.
“Për shkak të kërcënimeve hibride që Serbia po bën ndaj Kosovës, propagandës së vazhdueshme dhe lajmeve fake ndaj vendit dhe qytetareve tanë dhe përpjekjet e fundit për të inskenuat një të ashtuquajtur krizë humanitare në veri të Kosovës duke kërcënuar popullsinë serbe që jeton atje dhe duke i detyruar ata të mbyllin bizneset e tyre vetëm për shkak të disa objektivave politike të Beogradit, Ministria e Punëve të Jashtme nuk do të lejojë asnjë zyrtar nga Beogradi për të vizituar Kosovën dhe të gjitha kërkesat do të refuzohen për aq kohë sa kjo sjellje vazhdon”, shkroi ai.
Vendimi nxiti reagime të Beogradit. Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, e cilësoi atë “të pashembullt” dhe një “flakaresh, jo Beogradit por në radhë të parë Bashkimit Evropian dhe bashkësisë ndërkombëtare, e cila po hesht turpshëm ndaj shkeljes së të gjitha normave qytetëruese që po i bëjnë Ramush Haradinaj e Hashim Thaçi për vite me radhë”.
“Pasi popullin tonë në Kosovë e lanë pa ilaçe e pa bukë, duke mbrojtur taksat e tyre të marra, me këtë ndalesë praktikisht duan që edhe më shumë ta izolojnë nga çfarëdo ndikimi të Beogradit”, citojnë mediet serbe shefin e diplomacisë së Serbisë, Ivica Daçiç.
Zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë se janë në kontakt me të dyja palët dhe bënë thirrje “për respektimin e marrëveshjeve, përfshirë edhe atë për vizita të dyanshme”. Gjatë kësaj jave, për dy ditë me radhë në veriun e Kosovës, qëndruan të mbyllura të gjitha veprimtaritë afariste në shenjë proteste ndaj tarifave prej 100 për qind, që qeveria e Kosovës u vuri mallrave serbe në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë kundërvënieje ndaj siç është thënë, fushatës agresive të Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës.
Autoritetet në Serbi dhe përfaqësuesit lokal serb në veriun e Kosovës, thonë se tarifat dhe operacionet e policisë së Kosovës për të mbyllur rrugët alternative përtej vendkalimeve kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kanë bërë që të mungojnë mallrat themelore siç janë mielli dhe prodhimet e qumështit dhe se veriu është në “prag të krizës humanitare”.
Prishtina e cilësoi këtë një lojë të Beogradit dhe i bëri thirrje atij që të heqë dorë nga skenarë të tillë për destabilizimin e veriut të Kosovës. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha të mërkurën se Serbia do të vazhdojë të furnizojë qytetarët serb në veriun e Kosovës nëpërmjet rrugëve “alternative”. “Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të dërguar ushqime, ujë dhe ilaçe tek njerëzit tanë … edhe nëse bëhem një Robin Hood famëkeq evropian…Vuçiçi i çmendur që dërgon ushqim dhe ujë nga pylli”, tha ai.
Para tarifave, Serbia eksportonte në Kosovë mallra me vlerë prej rreth 500 milionë eurosh në vit dhe autoritetet në Serbi janë ankuar për humbje të mëdha të kompanive serbe që nga nëntori i vitit të kaluar. Beogradi akuzon Prishtinën se ka bllokuar procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me tarifat duke kërkuar heqjen e menjëhershme të tyre, ndërsa Prishtina akuzon Beogradin për kushtëzim bisedimesh.
Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, tha të enjten se koha e vendimit për ndalimin e vizitave nuk është e rastësishme dhe ndodhi “pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë me të cilën të dyja palët praktikisht obligohen të ushtrojnë politikë të jashtme të përbashkët. Kjo marrëveshje është betonarme në themelet e ‘Shqipërisë së madhe’, të cilën po e ndërtojnë në zemër të Evropës, ndërsa në të njëjtën kohë zyrtarëve serbë u ndalohet lëvizja nëpër territorin e shtetit të tyre”, tha ai.
Ministrit i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj, dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, nënshkruan këtë javë marrëveshjen për unifikimin e misioneve diplomatike dhe konsullore dhe bashkëpunimin strategjik në fushën e politikës së jashtme. Ministri Pacolli, shkroi në rrjetet sociale se “ky është një hap i madh përpara në integrimin tonë kombëtar, gjë që do të bëjë më të fortë veprimin e përbashkët global”.
Ndërsa zoti Cakaj shkroi se marrëveshja “hap horizonte të reja për veprime të përbashkëta institucionale”.
Beogradi i mbështetur nga Moska, kundërshton pavarësinë e Kosovës e cila është njohur nga mbi 110 vende të botës dhe i kundërvihet cdo veprimi të Prishtinës që ka të bëjë me sovranitetin e saj mbi gjithë territorin e Kosovës. Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve është kusht për integrimet në Bashkimin Evropian.