Një profesor amerikan ka akuzuar presidentin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan se po tenton t’i kthejë shtetet e Ballkanit Perëndimor në shtete islamike.
Alon Ben Meir është një ekspert amerikan në politikat dhe çështjet e Lindjes së Mesme, i specializuar në negociatat e paqes midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Ai këtë e ka thënë nëpërmjet një statusi në Facebook ku i referohet një deklarate të presidentit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan.
“Paqja, stabiliteti, qetësia dhe prosperiteti i shteteve të Ballkanit janë ekstremist me rëndësi për ne”, tha Erdogani dje. Po, zotëri Erdogan, ju nuk mund ta fshihni sa “me rëndësi”, është për juve ta merrni këtë regjion nën kontroll dhe t’i shndërroni këto shtete në shtete islamike”, ka shkruar në Facebookun e tij, Meir.
Ben-Meir i cili shërben si bashkëpunëtor i lartë në Qendrën e Çështjeve Globale të Universitetit të Nju Jorkut kohëve të fundit është marrë edhe me çështjen e Turqisë.
Ai gjithashtu ka marrë në fokus edhe çështjen e shteteve të Ballkanit dhe problemet në këtë pjesë të Evropës, raporton Express.
Një status tjetër i tij, gjithashtu tregon se si askush në Kosovë nuk ka marrë përgjegjësi për indoktrinimin e të rinjve që kanë marrë pjesë në luftën e Sirisë.
“Kosova ka tani mbi 900 xhami – 240 prej tyre të ndërtuara që nga lufta kundër Serbisë – dhe janë të fajësuara për ndihmë ndaj indoktrinimit të gjeneratës së re në Vehabizëm, dhe askush deri tani nuk ka mbajtur përgjegjësi për indoktrinimin e qindra burrave dhe grave nëpër xhami”, ka shkruar Ben-Meir.