Policia italiane ka vënë në pranga shqiptarin e shumëkërkuar për vrasjen e biznesmenit nga Dibra, Elsi kosiqi në vitin 2018. Autoritetet fqinje kanë arrestuar të riun Mahmut Gega, 26 vjeç, i cili akuzohet edhe si kreu i një bande hajdutësh në vendin fqinj.
26-vjeçari është arrestuar në Macerata të Italisë, ndërsa mediet raportojnë se banda e drejtuar prej tij ishte e “specializuar” në vjedhjen e shtëpive.
Sipas medieve, i riu shqiptar ishte një kriminel shumë i rrezikshëm, pasi iu hynte njerëzve nëpër shtëpi, i lidhte dhe i detyronte t’i jepnin paratë dhe bizhuteritë. Ndërkohë, që në Shqipëri mbi të riun rëndon akuza e vrasjes.
Ngjarja në Shqipëri:
Elsi Kosiqi, babai i tre fëmijëve u ekzekutua pas mesnatës së 20 marsit 2018 në derën e shtëpisë në Dibër. 32-vjeçari kishte shkuar mëngjesin e një dite më parë në Dibër të Madhe, ku kishte qëndruar me disa shqiptarë dhe një shtetas maqedonas gjatë gjithë ditës, deri në mesnatë.
Në orën 1:30 ai është kthyer në banesë, por sapo ka parkuar makinën në derë të shtëpisë është qëlluar me tre plumba nga i riu, që i ka dhënë dorën dhe më pas i ka drejtuar armën.
Ngjarja ka ndodhur brenda oborrit të banesës, ngjitur me verandën e banesës.
Më pas autori është larguar me shpejtësi, duke qenë se shtëpia ndodhet vetëm disa metra larg nga rruga nacionale dhe 500 metra nga kufiri me Maqedoninë.