Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka shprehur qëndrimin e tij kundër ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Në një konferencë shtypi nga Sllovenia, presidenti Pendarovski u shpreh se ndryshimi i kufijve mund të çojë në konflikt të armatosur.
“Kufijtë duhet të qëndrojnë aty ku janë, – tha presidenti i Maqedonisë së Veriut. – Çdo opsion tjetër mund të krijojë një efekt domino, që mund të dëmtojë disa vende në rajon, duke përfshirë Maqedoninë e Veriut.” Ai shtoi se “ndryshimet kufitare mund të çojnë madje edhe në konflikte të armatosura.”
Marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Kosovës janë tensionuar që nga viti 2008, kur Prishtina, me mbështetjen e vendeve perëndimore, shpalli pavarësinë nga Serbia. Serbia dhe Kosova u zotuan, në vitin 2013, për një dialog të sponsorizuar nga Bashkimi Evropian, që synon zgjidhjen e një sërë dallimesh, duke përfshirë mosmarrëveshjet territoriale, por pak përparim është bërë në këtë drejtim.