Ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, në një intervistë për edicionin e DW në gjuhën polake, ka folur për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor. Mesiç ka thënë se problemi i Bosnje e Hercegovinës është një prej problemeve që duhet zgjidhur, pasi sipas tij është një prej problemeve më komplekse në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Mesiç ka kritikuar ndërkohë politikën e Beogradit karshi Bosnjës, pasi siç thotë ai, në njërën anë serbët deklarohet se e respektojnë një Bosnje e Hercegovinë të unifikuar, ndërkohë në të njëjtën kohë mbështesin politikat e Millorad Dodikut, i cili nuk e njeh si shtet Bosnjën.
Tutje ish-presidenti kroat ka folur edhe për paprekshmërinë e kufijve të shteteve në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar faktin se të gjitha luftërat në Ballkan janë bërë për shkak të kufijve.
“Absolutisht. Të gjitha luftërat në Evropë kanë filluar për shkak të kufijve. Dhe të gjithë agresorët kanë gënjyer duke thënë se po tentojnë të mbrojnë minoritetet kombëtare në vendin tjetër. Sidoqoftë ata më pas pushtonin territore të popujve tjerë. Ata thjeshtë kanë gënjyer” ka thënë Mesiç, transmeton Gazeta Express.
Teksa ka folur për regjimin e Sllobodan Millosheviqit, Mesiç ka thënë se presidenti famëkeq dëshironte një Serbi të Madhe etnikisht të pastër.
Por ish-presidenti kroat thotë se Millosheviq edhe përkundër ushtrisë së fuqishme që kishte nuk kishte mundur të ndryshonte asnjë milimetër kufijtë në mes të Republikave të ish-Jugosllavisë dhe provincave.
“Pra kur Millosheviqi me ushtrinë e tij të fuqishme nuk arriti t’i ndryshonte kufijtë, askush nuk mund t’i ndryshojë ata as tani”, ka potencuar Mesiç, transmeton Gazeta Express.
Ish-presidenti kroat shton tutje se tendenca e Millosheviqit për krijimin e një “Serbie të Madhe” e të pastër etnikisht kishte shkaktuar persekutimin dhe spastrimin etnik të popujve tjerë jo serb të Ballkanit.
Teksa është pyetur për mundësinë e ndonjë shpërthimi të mundshëm në Ballkan, Mesiç ka thënë se nuk beson që situata është në atë fazë që mund të pritet diçka e tillë, duke ritheksuar si problematike, Republika Srpskan e Dodikut në Bosnje e Hercegovinë./GazetaExpress/