Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se nuk ka ndërmend të heqë taksën e mallrave serbë me 100% të vlerës nëse vazhdon të jetë në këtë post pas zgjedhjeve të parakohshme. Ai gjithashtu i bëri thirrje liderëve në Kosovë që të marrin vendime në mënyrë të pavarur, edhe nga Shqipëria.
“Dikur kanë thënë “po na thotë Beogradi se kemi qenë pjesë e Federatës”, më vonë po na thonë “miqtë ose aleatët”, ndërsa tani ndonjëherë po na thonë “Tirana”, se nuk jemi mësuar me vendos vet në Prishtinë”, tha Haradinaj, duke iu përgjigjur pyetjeve në platformën online të Institutit Demokratik të Kosovës. “Mendoj që udhëheqësit e Kosovës duhet të nisin t’i marrin vendimet vet, e të mos bëjnë pjesë të tjerët, përndryshe nuk ka kuptim pavarësia”.
Ai hodhi poshtë edhe një herë pretendimet se propozimi për ndryshimin e kufijve të Kosovës ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Aleati nuk ka kërkuar copëtim, janë njerëzit e rajonit që kanë shkuar dhe i kanë thënë aleatit “po kemi qejf të copëtohemi”, dhe Amerika u ka thënë “OK, na tregoni se si do të copëtoheni”, por nuk është që Amerika ka kërkuar copëtim”, shtoi kreu i AAK.