Komisioneri i caktuar për Politikën e Zgjerimit dhe Politikën e Fqinjësisë bllokohet nga Parlamenti Europian para “testimit” në këtë institucion. Komisioni për Çështjet Ligjore të Parlamentit Europian konsideron se hungarezi László Trócsányi dhe rumunia Rovana Plumb, e caktuar për Politikën e Transportit, kanë konflikt interesi. Si pasojë, dy të emëruarit nga qeveritë e tyre respektive nuk mund të vijojnë seancat e dëgjesës së javës së ardhshme në Parlamentin Europian për Komisionin e Ursula Von der Leyen.
Pas këtij vendimi, László Trócsányi është shprehur për mediat se vendimi i marrë është politik dhe se nuk ka konflikt interesi me funksionin e tij të mëparshëm në kabinetin e avokatëve “Nagy & Trocsanyi” të themeluar në 1991. Ai sqaron se e ka ndërprerë aktivitetin e tij si avokat në këtë kabinet që në vitin 2007 dhe nuk ka marrë asnjë formë shpërblimi apo pagese.
Presidenti i Parlamentit David Sassoli pritej të konsultohet me Komisionin për Çështjet Ligjore nëse ky shqetësim është i kapërcyeshëm para se t’i shkruajë Presidentes Von der Leyen, e cila ka dy opsione. Ajo pritet ose t’ju kërkojë eurodeputetëve të rishqyrtojnë të nominuarit, ose të tërheqë kandidatët dhe t’u kërkojë qeverive të tyre të paraqesin kandidatë të rinj. Zyrtarë europianë kanë sqaruar për Televizionin Klan se Kryeministri Viktor Orban nuk është i gatshëm të ndryshojë kandidaturën e László Trócsányit.