Ish-kreu i së djathtës ekstreme FPO, Heinz-Christian Strache, njoftoi gjatë një konference për shtyp largimin e tij nga jeta politike. Ky njoftim vjen disa muaj pas skandalit për korrupsion, që e detyroi Strache-n të dorëhiqej nga drejtimi i partisë, të cilën e kishte udhëhequr për 14 vjet me radhë, raporton RTK.
Strache tha se dëshironte të shmangte me çdo kusht përçarjet brenda partisë së tij, në një kohë kur fati i kësaj figure të ekstremit të djathtë u kthye në temë debati. Ish-kreu i FPO-së shtoi, gjithashtu, se e ka vënë në pritje anëtarësimin në parti, derisa emri i tij të pastrohet nga çdo dyshim, ndërkohë që mohon çdo keqbërje nga ana e tij.
Gjatë rënies, ai tërhoqi me vete tërë qeverinë, gjë që çoi në zgjedhje parlamentare të parakohshme, të cilat u mbajtën ditën e diel dhe përfunduan me triumfin e Sebastian Kurz-it.