Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka konfirmuar se pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve dhe pas konstituimit të Kuvendit, ai do ta dorëzojë mandatin e tij të deputetit. Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i ka thënë GazetaExpress se nuk do të jetë më deputet në Kuvendin e Kosovës.
Nuk dihen ende arsyet e këtij vendimi. Partia e Haradinajt në koalicion me PSD-në doli e katërta në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, duke marrë vetëm 11.57% të votave. Ende nuk kanë dalë rezultatet përfundimtare, por Haradinaj ka marrë vota nga e gjithë Kosova.
Edhe në të kaluarën ai e ka lënë mandatin e deputetit. Në shkurt 2016, Haradinaj dorëzoi mandatin e tij të deputetit pas pakënaqësive që atëkohë kishte me punën e këtij institucioni.