Kreu i Kosovës, Ramush Haradinaj në kuadër të Samitit Digjital të Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Shkup të Maqedonisë, ka zhvilluar një drekë pune me komisionerin e BE-së për Politika Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn.
Temat kryesore që u diskutuan në këtë drekë punë ishin forcimi i Bashkëpunimit Ekonomik Rajonal dhe rruga evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Gjatë këtij takimi u theksua që digjitalizimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor është parakusht elementar për integrimin në Bashkimin Evropian.Ndër të tjera, Kosova konfirmoi bashkërenditjen e saj me shtetet e Ballkanit Perëndimor në heqjen e tarifave të romingut brenda këtyre vendeve në fazën e parë dhe më pas me shtetet e BE–së, si dhe angazhimin konkret në digjitalizimin e Administratës Publike.
gjatë kësaj dreke pune morën pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Denis Zvizdic, zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Senida Mesi, ministrja e Ekonomisë të Malit të Zi, Dragica Sekulic dhe komisionerja evropiane për ekonominë digjitale dhe shoqëri, Mariya Ivanova Gabriel.
Samiti Digjital i vendeve të Ballkanit Perëndimor po mbahet në Shkup të Maqedonisë dhe Kosova po përfaqësohet nga vet kryeministri Ramush Haradinaj dhe përfaqësues të tjerë nga institucionet e vendit.