Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të mbështesë Kosovën në nxitjen e rinovimit urban, në mënyrë që të përmirësohet infrastruktura mjedisore dhe ajo nëpër komunat e vendit.
Ministri i Financave Bedri Hamza nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me presidentin e BERZH Suma Chakrabarti, gjatë takimit vjetor të bankës në Jordani.
Sipas marrëveshjes, e cila kap një vlerë prej 100 milionë eurosh, prioritet përbëjnë fushat si shërbimet e uji dhe kanalizimeve, menaxhimi i mbetjeve urbane, ngrohja, transporti urban, përfshirë infrastrukturën rrugore, rinovimin e flotës dhe ndriçimi rrugor.
Fusha të tjera në fokus janë përmirësimi i eficiencës së energjisë për godinat publike si shkollat, spitalet dhe ndërtesat e tjera administrative.
Ministria e Financave do të identifikojë projektet e investimit dhe do t’i propozojë për financim nga BERZH. Krahas financimit, BERZH do të mbështesë edhe gjetjen e projekteve, do të kërkojë grante nga donatorët dhe do të mbështesë përgatitjen e projektit.
Gjysma e fondit të përcaktuar në marrëveshje, rreth 50 milionë euro, janë rezervuar për të financuar ndërtimin e impianteve të reja të trajtimit të ujërave të ndotura në qytetet e Gjilanit dhe Mitrovicës.