Bisedimet rreth zgjidhjes së çështjes së emrit, pritet të jetë njëra ndër temat kryesore të mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian që po mbahet në Bruksel. Përfaqësuesja e lartë e BE-së Federika Mogerini gjatë kësaj mbledhjeje do të njoftojë ministrat e 28 vendeve mbi procesin e bisedimeve ndërsa dy ministrat e Jashtëm të Maqedonisë dhe Greqisë pritet të vazhdojnë bisedimet në Bruksel edhe pse një gjë e tillë ende nuk është konfirmuar nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë.
Ndërkohë për më 6 qershor në më shumë qytete të Greqisë janë paralajmëruar protesta të reja kundër bisedimeve për emrin. Organizatorët e protestës janë të njëjtit të cilët organizuan muaj më parë protestë në Selanik dhe Athinë. Përmes protestës, ata duan t’i rikujtojnë autoritetet se kundërshtojnë çfarëdolloj zgjidhje që do të përfshinte emrin Maqedoni. Protesta kundër ndryshimit të emrit kushtetues të Maqedonisë për sot janë paralajmëruar edhe në Ohër. Protesta do të udhëhiqet nga “Të rinjtë për Maqedoninë” dhe pritet të filloj në orën 19.30 në sheshin kryesor të qytetit, “Shën Klimenti i Ohrit”. /Alsat/