31 marsi ishte dita e fundit kur bizneset duhet të dorëzonin pasqyrën financiare për vitin fiskal 2017, por edhe deklaratën e pagesës së tatim fitimit. Por 31 marsi ishte njëkohësisht e shtunë, që do të thotë ditë pushimi, kështu që sipas ligjit (ligji thotë që nëse një ditë deklarimi bie pushim, afati shtyhet në ditën e parë të punës pas tij) afati i fundit do të ishte 3 prilli.
Por, disa subjekte janë habitur kur u ka ardhur (dalë në sistem) fleta e gjobës për deklarim të vonuar të bilancit, që ata e kishin bërë në datën 3.04.2017, pra brenda afatit.
Disa biznese kanë thënë se ata kishin pyetur tek tatimet dhe ishin siguruar që data 3 prill ishte afati i fundit ku mund të dorëzonin bilancet dhe të kryenin pagesën e tatim fitimit pa penalitet. Gjoba kishte vlerën 10 mijë lekë dhe atyre u kërkohej që ta paguanin menjëherë atë, ose nëse kanë kundërshtim mund ta apelojnë brenda 30 ditëve. Ata pohuan se do ta apelonin këtë vendim.
Por, tatimet kanë pohuar se vënia e gjobave ka qenë një gabim teknik, pasi nuk ishte ndryshuar në sistem data e dorëzimit.
“Gjenerimi gabimisht i gjobave për dorëzim me vonesë të bilancit për periudhen 17-A , edhe pse ato ishin dorëzuar në kohë dhe data e dorëzimit ishte 03.04.2018, ndodhi sepse data e pritshme për dorëzim në sistem ishte 31.03.2018. Tashmë ky problem është zgjidhur dhe gjobat janë invaliduar që prej datës 04.04.2018”, thanë burimet zyrtare të tatimeve.
Në këtë mënyrë, nuk do të jetë e nevojshme për subjektet e gjobitura gabimisht, që të apelojnë, pasi gjobat do t’u fshihen automatikisht. /monitor.al/