Media zbardh një pjesë të përgjimeve në dosjen e Prokurorisë mbi arrestimin e 32 personave në kuadër të operacionit “Rruga e Gabuar”. Grupi kriminal kontrabandote njerëz drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë dhe Britanisë së Madhe kundrejt shumave deri në 20 mijë dollarë.
Klandestinët pajiseshin me pasaporta dhe udhëtonin më pas drejt destinacioneve të kërkuara, si SHBA dhe Kanada. Ndërkohë drejt Britanisë së Madhe udhëtonin me pasaporta të falsifikuara të vendeve të BE-së, siç thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Por, në dosjen e siguruar nga gazetarja Klodiana Lala për “BalkanWeb” përmenden raste konkrete ku anëtarë të këtij grupi ndihmonin njerëz të ndryshëm të kalonin kufirin me mënyra të paligjshme.
Kështu rezulton se në datë 24.01.2019, anëtarët e grupit të identifikuar si Vesel Gjolleshi, Çajup Tafa dhe Sefer Çelo kanë ndihmuar të kalojnë në pikën e Kakavijës një burrë dhe një grua, bashkë me një fëmijë.
Në këto përgjime del edhe emri i në tjetër anëtari të grupit, shtetasi Marsel Shoshaj, më të cilin tre të parët janë takuar në një karburant në dalje të Gjirokastrës, pasi janë siguruar se “klientët” e tyre e kishin kaluar kufirin.
Madje interesant është fakti që dy klandestinët i shoqëronte drejt kufirit anëtari i grupit Çajup Tafa, ndërsa nga pas i ndiqte një makinë policie me targa MB498AA që e drejtonte anëtari tjetër Sefer Çelo.