Ish-punonjësi i një pike bastesh në Tiranë u la në burg pa afat nga Gjykata e Tiranës në lidhje me dyshimet për bashkëpunim në vrasjen e Santiago Malkos. 39-vjeçarin, Blendi Teta, është i vetmi person të arrestuar për vrasjen e ish-efektivit Santiago Malko. Para gjykatës Prokuroria ka zbardhur lëvizjet e kryera nga Teta dhe dy persona të tjerë pak momente para atentatit ku dyshohet se Teta ka informuar autorët në lidhje me lëvizjet e viktimës.
Konfliktet për bastet dyshohet se kanë qenë shkak i vrasjes së ish-policit, Santiago Malko, më 27 gusht në tiranë.
Një ditë pas arrestimit Prokuroria kërkoi që Blendi Teta të qëndrojë në burg pasi është filmuar nga kamerat e sigurisë me automjetin e tij tip "Skoda" pranë vendit të ngjarjes.
39-vjeçari mësohet se ka qenë punonjës i një pike bastesh aktivitet në të cilin ishte përfshirë edhe ish- polici i vrarë Santiago Malko.
Përveç këtij fakti bazuar edhe në përgjimet telefonike dhe pamjet e kamerave dyshohet se i arrestuari ka ndjekur lëvizjet e viktimës dhe ka informuar autorët duke ndihmuar organizimin e atentatit.
Gjatë seancës ku u vendos masa e arrestit me burg për të riun, organi akuzës ka zbardhur lëvizjet e autorëve të dyshuar të atentatit së bashku me 39-vjeçarin, të cilët janë fiksuar nga kamerat e sigurisë.
Sipas prokurorisë Blendi Teta së bashku me dy persona të tjerë, pasi janë takuar në një lokal në zonën e freskut, kanë ndjekur lëvizjet e ish-efektivit Malko, deri pak momente para ekzekutimit.
Nga verifikimet ka rezultuar se nga automjeti Skoda, natën e ngjarjes kishte zbritur Blendi Teta, dhe pas këtij momenti ai ka filluar të shfaqë shqetësim gjatë telefonatave që ka zhvilluar me bashkëjetuesen e tij, duke i thënë se ishte në kërkim për vrasje.
Për këtë arsye ndaj tij janë ngritur akuzat e moskallëzimit të krimit dhe veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës, të cilat nga vetë Teta dhe avokati mbrojtës janë mohuar.
Në seancën gjyqësore me dyer të mbyllura 39-vjeçari është shprehur se nuk ka pasur lidhje me planin e vrasjes, ndërsa ngjarjen e ka mësuar nga televizori kur ka mbërritur në shtëpi.
Ish-polici Malko u ekzekutua gjatë një atentati mbrëmjen e 27 gushtit në zonën e Oxhakut në kryeqytet.
Pak orë pas vrasjes në fshatin Ferraj u gjet e djegur një makinë tip "Benz" brenda së cilës u gjeten dy armë zjarri të tipit automatik të cilat dyshohet se janë përdor për të kryer ekzekutimit e 31-vjeçarit.