Thirrja e kreut të PE:“Kushtet e Bundestagut duhet të merren seriozisht”

Hënë, 03 February 2020 10:47

 Kreu i Parlamentit Europian, David Sassoli, shprehet optimist se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mund t’ia arrijnë që t’i hapin negociatat me Bashkimin Europian në pranverën e 2020-ës.

 Sassoli tregon se çfarë ndodhi në muajin tetor, kur vendi ynë nuk arriti dot të merrte dritën jeshile për negociatat, por edhe pritshmëritë që janë rritur në 2 muajt e fundit në lidhje me këtë proces. Kreu i PE-së nënvizon se ka shanse që vendet, të cilat u shprehën skeptike në tetor, të mund të binden në samitin e muajit mars.

Sipas Sassolit, nuk duhet ndalet procesi i negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pavarësisht metodologjisë së re që ka prezantuar Franca, pasi sipas tij, bëhet fjalë për një çështje që në të dyja vendet sjell progres dhe përmirësim të jetës së qytetarëve. David Sassoli vlerëson marrëveshjen e palëve politike në Tiranë për Reformën Zgjedhore dhe i shtyn palët drejt një marrëveshjeje më të gjerë për të mirën e vendit.

Ai gjithashtu shikon si të rëndësishëm faktin që Komisioni i Venecias do të shprehet në lidhje me situatën në Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se kushtet e dhëna nga Bundestagu gjerman në muajin tetor duhet të merren seriozisht nga politikanët shqiptarë. Për kreun e PE-së, Shqipëria duhet të përfitojë nga kjo kohë e dhënë për të treguar hapa konkretë në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Mes të tjerash, në këtë intervistë Sassoli nuk e fsheh as skepticizmin për Paketën Antishpifje, duke shtuar se situata do të ndiqet me kujdes deri në momentin që Komisioni i Venecias do të dalë me opinionin zyrtar.

Kanë kaluar 4 muaj që nga tetori i vitit të shkuar, kur Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk iu aprovua çelja e negociatave me Bashkimin Europian. Cila ishte arsyeja sipas jush, që i shtyu vende si Franca apo Holanda të mos e pranonin fillimin e këtij procesi dhe a shikoni ndonjë ndryshim nga vendet, të cilat ishin skeptike në tetor, që në samitin e Zagrebit të hapin dritën jeshile për të dyja vendet?

Është e rëndësishme të theksohet se shumica e shteteve anëtare, ashtu si dhe Parlamenti Europian dhe Komisioni Europian, ishin në favor të hapjes së negociatave për të shpërblyer arritjet e mëdha që kanë bërë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Megjithatë, disa shtete anëtare ishin më shumë të përqendruara te mangësitë dhe Franca dëshironte ta lidhte vendimin për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me debatin për një metodologji të re të zgjerimit. Ndërsa nuk jemi kundër që të flasim për një qasje të re ndaj zgjerimit, ne besojmë se kjo nuk duhet t’i pengojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut që të vazhdojnë drejt nivelit tjetër. Kjo është një çështje diskutimi në vazhdim, por unë shpresoj se do të shohim njëfarë përparimi përpara samitit të Zagrebit.

Çfarë ka ndryshuar në Shqipëri dhe çfarë ka ndryshuar në Francë që të hapen negociatat, pasi është krijuar një përshtypje në publik se më shumë shqetësim ka për kushtet sesa për demokracinë dhe cilësinë e jetës së qytetarëve?

Mosarritja e vitit të kaluar për të dhënë dritën e gjelbër për bisedimet, sigurisht që ka ngritur vëmendje të madhe të publikut për këtë çështje dhe ka krijuar një presion të madh për ta ndryshuar vendimin. Ajo çka nuk duhet të harrojmë në mes debatit të fundit: Zgjerimi i BE-së do të jetë në dobi si të popujve të Ballkanit Perëndimor, ashtu edhe të shteteve anëtare të BE-së dhe mund të sjellë pajtimin shumë të nevojshëm në rajon. Sigurisht, kjo shkon krah për krah me një proces të gjatë dhe nganjëherë të vështirë të reformave. Kushtet e formuluara në këtë proces kanë gjithmonë për qëllim të përmirësojnë strukturat demokratike, shtetin e së drejtës dhe fusha të tjera të shtetit dhe shoqërisë, në mënyrë që të përputhen me vlerat e Bashkimit Europian. Ky nuk është kurrë një qëllim në vetvete, por ndodh në të mirë të njerëzve. Sipas mendimit tim, hapja e negociatave të anëtarësimit mund të jetë një shtysë e fortë për përparimin, që është ende i nevojshëm. Ne jemi duke punuar shumë për t’i bindur të tjerët nga ky këndvështrim në javët përpara samitit të BE-së në mars dhe samitit të Zagrebit në maj.

Gjatë muajit tetor dhe nëntor, disa media europiane raportuan se kishte vende që kishin tentuar t’i ndanin Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke i hapur për Shkupin negociatat dhe jo për Tiranën. Sa e fortë ishte kjo ide në diskutimet që u bënë në Këshillin Europian? A ekziston ende një ndarje e tillë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut?

Është e rëndësishme për mua të theksoj që, as Maqedonia e Veriut dhe as Shqipëria nuk kanë bërë asgjë të gabuar. Në të dyja rastet, përpjekjet e mëdha u njohën nga Komisioni në vlerësimin e tij zyrtar. Sidoqoftë, është e vërtetë që midis vendeve që kundërshtuan, rezervat ishin më të mëdha në lidhje me Shqipërinë, pa qenë kjo pika kryesore e debatit. Nëse kjo ndarje është ende ekzistuese, do të shihet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit. Unë e nxis Shqipërinë që ta përdorë këtë kohë dhe të trajtojë shqetësimet e ngritura, veçanërisht në lidhje me respektimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Sa mund të ndikojë kriza politike në Shqipëri, që vazhdon prej gati një viti, në vendimin që do merret në samitin e Zagrebit për procesin e negociatave?

Ne e dimë që peizazhi politik në Shqipëri mbetet i polarizuar. Sigurisht, kjo ka një ndikim në reformat e nevojshme, siç mund të shihet në bllokimin për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Unë u bëj thirrje të gjitha palëve të tregojnë guxim politik dhe aftësi drejtuese, në mënyrë që të mos rrezikojnë shanset e Shqipërisë për hapjen e negociatave të anëtarësimit së shpejti. Marrëveshja ndërpartiake për të arritur Reformën Zgjedhore deri në mars 2020, është tashmë një shenjë inkurajuese. Një konsensus i ndërtuar rreth qëllimit të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE dhe reformat e nevojshme për ta bërë atë do të ishin në dobi të të gjithëve, veçanërisht të qytetarëve shqiptarë. Kriza politike mund të ndodhë në çdo shtet, por në Parlamentin Europian ne kemi shprehur vazhdimisht bindjet tona se mospajtimet politike duhet të zgjidhen brenda Parlamentit. Në të kaluarën, ne kemi ndihmuar disa herë për të ndërmjetësuar në situata të vështira, në Shqipëri dhe gjetkë në rajon, dhe jemi të gatshëm ta bëjmë këtë përsëri nëse kërkohet.

Shqipërisë iu vendosën nëntë kushte nga Bundestagu gjerman për të hapur negociatat. Tri prej tyre (Reforma Zgjedhore, ngritja e Gjykatës Kushtetuese dhe SPAK) duhej të përmbusheshin para fundit të 2019-ës, gjë që në fakt nuk ndodhi, pasi Shqipëria ende nuk e ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale dhe Reforma Zgjedhore, me bazë rekomandimet e OSBE-së, nuk është përfunduar. A do ndikojnë këto mosplotësime në vendimin që do merret në samitin e Zagrebit?

Së pari, si një sqarim i vogël, kushtet e përcaktuara nga Bundestagu duhej të plotësoheshin nga Shqipëria deri në konferencën e parë të anëtarësimit dhe, midis hapjes së negociatave të anëtarësimit dhe konferencës së parë të anëtarësimit, mund të kalojë madje edhe një vit. Së dyti, deklarata e Kancelares gjermane Merkel e javës së kaluar, në të cilën ajo bëri thirrje për të arritur një marrëveshje për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut gjatë Këshillit të marsit, është sigurisht një shenjë e mirë. Pavarësisht kësaj, kushtet e përcaktuara nga Bundestagu duhet të merren seriozisht dhe është inkurajuese të shohësh që shumë politikanë shqiptarë i referohen nevojës për të trajtuar kushtet e Bundestagut. Arritja e një marrëveshjeje ndërpartiake për të përfunduar Reformën Zgjedhore deri në mars 2020 është një lajm shumë i mirë, që i jep fund një bllokimi të zgjatur – shpresoj që të gjitha partitë politike ta ruajnë angazhimin e tyre për këtë reformë të rëndësishme. Unë, gjithashtu, mirëpres faktin që Komisioni i Venecias planifikon një mision në Shqipëri dhe është i gatshëm të nxjerrë një opinion për çështjen e Gjykatës Kushtetuese. Ky mund të jetë një kontribut i rëndësishëm për të thyer bllokimin aktual. Së fundi, është arritur përparim i mirë në krijimin e SPAK-ut, me emërimin e anëtarëve të parë të tij dhe unë shpresoj që së shpejti do të vihet në punë.

Si i shikoni dy ligjet për mediat, të quajtura ndryshe si Paketa Antishpifje, që Qeveria shqiptare i kaloi në Parlament, por që u kthyen mbrapsht nga Presidenti dhe për të cilat KiE ka vendosur të kërkojë një opinion nga Komisioni i Venecias?

Unë kam qenë gazetar shumë kohë para se të bëhesha politikan dhe jam thellësisht i përkushtuar për të siguruar lirinë e shtypit dhe lirinë e shprehjes. Këto janë parime themelore të Bashkimit Europian dhe duhet të mbrohen sa herë që sulmohen. Unë jam shumë i vetëdijshëm për kritikat që organizatat e mediave vendëse dhe ndërkombëtare, si dhe Këshilli i Europës dhe BE-ja, kanë ngritur në lidhje me rrezikun që ky ligj të kufizojë lirinë e mendimit në vend. Ne do të vazhdojmë të ndjekim zhvillimet dhe të presim mendimin e Komisionit të Venecias.

Modifikuar më Hënë, 03 February 2020 12:48
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...