Një shqiptar është vënë në pranga pasi tentoi të grabiste një banesë në Gallarate të Varese-s. Sipas mediave italiane bëhet fjalë për një 43-vjeçar, i cili kishte hyrë për të vjedhur apartamentin sëbashku me një bashkatdhetar tjetër.
Identitetet e tyre nuk bëhen të ditura.
Dy grabitësit u kapën në befasi nga vetë pronarët e banesës, të cilët ishin lajmëruar për shkak të sistemit të alarmit.
Të zënë në befasi, shqiptarët tentuan të arratisen.
Por vetëm njëri prej tyre arriti të largohej, ndërsa tjetri u vu në pranga. Por përpara se të tentonte ikjen, 43-vjeçari goditi me grushte pronarin, i cili ndodhet në spital.
Për shkak të lëndimeve ai do të qëndrojë në spital për 3 ditë. Por përveç pronarit, 43-vjeçari goditi edhe karabinierët për t’i rezistuar arrestimit.
Ndaj tij rëndon akuza për grabitje dhe rezistencë ndaj punonjësit publik.
Mësohet se 43-vjeçari është një person me precedentë penalë në fushën e grabitjeve dhe shpërndarjes së drogës. Ai rezultonte në kërkim që prej 2017-s, pasi Gjykata e Tevisos kishte nxjerrë një urdhër arresti për të.