Z. Ylli Ndroqi, Presidenti i ”Yldon Media Group” falenderoi të gjithë ata që i janë gjendur pranë në këto ditë të vështira të humbjes së vëllait të tij, Lulzim Pasmaçiut, i cili prej 29 vitesh mbante dhe postin e koordinatorit të “Yldon Media Group”.
Luli, siç të gjithë ata që njihnin e thërrisnin, nuk mundi t’i mbijetonte virusit vdekjeprurës dhe humbi jetën mëngjesin e djeshëm në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”.
“Unë dhe familja ime ju urojmë që kurrë në familjet tuaja të mos përjetoni atë që unë dhe familja ime po kalojmë prej muajsh” shkroi Presidenti i “Yldon Media Group”, Ylli Ndroqi në një mesazh postuar në rrjetet sociale.
Z. Ndroqi u shpreh se ndihej thellësisht i prekur dhe mirënjohës për secilin prej mijëra personave që iu gjendën pranë atij dhe familjes së tij: "Duke falënderuar emër për emër secilin që më qëndroi pranë mua dhe familjes sime në këto momente të dhimbshme, ju kërkoj ndjesë për pamundësinë për t’i kthyer përgjigje mesazheve tuaja. Janë më dhjetëra mijëra të tilla të mbërritura në telefonin tim, ndaj jam thellësisht i prekur dhe mirënjohës për secilin.”
Në harkun kohor të gati 40 ditëve, virusi vdekjeprurës i mori jetën edhe xhaxhait dhe djalit të xhaxhait, të Presidentit të “Yldon Media Group”.