Familja e Rruzhdi Rushitit, i cili është një nga tre viktimat e tragjedisë në minierën e Balgjajt, jetonte në fukarallëk të madh sipas fqinjëve dhe pronarit të një dyqani në Bulqizë.
“Ai ka qenë në një situatë të rënduar, fukarallëku në kulm, ka pas ardhur shpesh, me borxh, asnjëherë nuk ka marrë me lekë, se nuk ka qenë në gjendje me përballu situatën. Ishte i rregullt, pozitiv, rob i mirë, nuk kemi pasur probleme, por nga fukarallëku ishte i detyruar me kërkuar borxh”, tha Xhevahir Zhabina, pronari i një dyqani ushqimesh.
Sipas pronarit të ushqimores, e gjithë zona është në këtë gjendje.
“Kanë shumë borxhe, se nuk kanë ku marrin, janë krejt njerëzit zero, nuk kanë kokërr leku, ka mbaruar cdo gjë”.
Një tjetër dëshmi vjen nga fqinja, e cila shprehet se familja jeton në mjerim. “E njohim, se në katin e parë e kemi. Më mjerim nuk ka. Nëna u vra shumë e re, i ra një gur poshtë, babai ka vdekur ka nja 3 vite, çuni tjetër ka 5 vite. Fëmijët i ka të vegjël, katastrofë. Kur duam me falur ndonjë gjë ia çojmë por nuk është mundësia”.
E veja e Rruzhdi Rushitit tregoi se bashkëshorti kishte vetëm tre javë që kishte filluar punë në minierë, ku mes lotësh, ajo tha se burri ishte i vetmi që punonte në familje dhe se tani nuk kanë me çfarë të ushqehen