Dy persona nga Peqini, të infektuar me Covid-19 kanë ndërruar jetë në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë. Lajmi konfirmohet nga gazetari i Panorama.
Burimet thanë për Panorama.al se dy viktimat janë të moshës 56 dhe 64-vjeçare.
Dy banorët e Peqinit, të cilët ishin infektuar me koronavirus, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore ishin shtruar prej disa ditësh në spitalin Covid2 në Tiranë.
Dje, ministria e Shëndetësisë raportoi sërish një numër të lartë viktimash në spitalet Covid.
Sipas raportimit të përditshëm, dje u regjistruan 8 humbje. Numri i viktimave deri tani nga Covid-19 në vend, që nga fillimi i pandemisë ka shkuar në 581.