Një pjesë e personave të lënduar, të cilët janë në gjendje më të rëndë si pasojë e djegieve që kanë pësuar gjatë shpërthimit të një bombole gazi sot në Ferizaj, do të dërgohen për trajtim në Republikën e Turqisë.
Përmes një postimi në Facebook, kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka thënë se po bëjnë përpjekje maksimale t’i lehtësojnë procedurat për shërim atje.
“Po bëjmë përpjekje maksimale që për të lënduarit në gjendje më të rëndë, ta lehtësojmë procedurën për shërim në Republikën e Turqisë, sipas rekomandimeve të mjekëve, pas vendosjes së kontakteve nga Komuna e Ferizajt bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë, Shërbimin Spitalor Klinik-Universitar të Kosovës dhe kërkesës tonë pranë Ambasadës së Turqisë në Kosovë”, shkruan Aliu.
Ai tha se vala e shpërthimit ka lënduar dhjetëra qytetarë, ndërsa falënderoi stafin shëndetësor, komunat fqinje, policinë e zjarrëfikësit për gatishmërinë për të dhënë ndihmën e tyre.
“Zemërthyer e të tronditur jemi sot, jo vetëm ne ferizajasit, nga vala e zjarrit e shpërthimi i fuqishëm që lëndoi dhjetëra qytetarë. Ferizaj do ta kapërcej edhe këtë plagë që nisi vitin. Të gjithë jemi me lutjet tona për shërimin e të lënduarve dhe pranë familjeve të tyre. I jashtëzakonshëm ishte edhe reagimi i mjekëve e infermierëve ferizajas dhe stafit teknik nga komunat fqinje, Policisë së Kosovës, zjarrfikësve, solidarizimi i bizneseve me këtë fatkeqësi e qytetarëve të rastit që me reagimin e shpejtë, parandaluan zgjerimin e tragjedisë. Qoftë i shpejtë shërimi i të lënduarve”, shkruan Aliu.