Policia e Tiranës ka konfirmuar zyrtarisht lajmin e ditës së djeshme se Kastriot Gjuzi është kapur në kufirin jeshil nga autoritetet kosovare.
“Shkëmbimi i informacionit në kohë reale mes Policisë Shqiptare dhe asaj të Kosovës si dhe falë gatishmërisë së Policisë së Kosovës për të bashkëpunuar, çoi në kapjen dhe ndalimin e autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit M. M”, raportohet nga policia një ditë më pas.
Kastriot Gjuzi, 40 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, është autori i dyshuar i vrasjes së 28-vjeçarit Mario Majollari.
“Shtetasi i mësipërm me qëllim shmangien e hetimeve ndaj tij kishte kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin jeshil në “Republikën e Kosovës”, ku dhe u kap nga Departamenti i Policisë Kufitare të Kosovës. Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Jetës në DVP Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë u bë ndalimi i shtetasit të lartpërmendur”, njofton policia e Tiranës.
Ndaj Gjuzit rëndojnë akuzat e vrasjes për gjakmarrje dhe armëmbajtje pa leje.