Prishtinë - Janë arrestuar tre persona për vrasjen e Liridona Murselit, akt ky i cili ka tronditur opinionin publik. Në mesin e të arrestuarve është bashkëshorti i saj Naim Murseli dhe një pjesëtarë i FSK- së, njofton RTK.
Prokurorja e Prokurorisë Speciale nga krimet e rënda, Besa Limani, ka konfirmuar për RTK-në se njëri prej të arrestuarve është bashkëshorti i së ndjerës, Liridona Murseli, kurse tjetri është personi që dyshohet se e ka vrarë atë.
Prokurorja e Prokurorisë Speciale nga krimet e rënda, Besa Limani, ka konfirmuar për RTK-në se njëri prej të arrestuarve është bashkëshorti i së ndjerës, Liridona Murseli, kurse tjetri është personi që dyshohet se e ka vrarë atë.
"Ende nuk dihen motivet. Ende nuk është caktuar masa e paraburgimit", ka deklaruar prokurorja Besa Limani.
Kurse, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka konfiskuar një armë, me të cilën besohet se është kryer vrasja e Liridona Murselit, të mërkurën në mbrëmje.
Ndërsa, Laureta Ulaj, zëdhënëse në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka konfirmuar për RTK-në, se është arrestuar edhe personi i tretë i dyshuar në vrasjen e Liridona Murselit, të mërkurën në Prishtinë.
Ulaj bëri të ditur se pak kohë më parë, i njëjti është dërguar në stacionin policor për t’i kryer procedurat.
“Me aktvendim mbi ndalim nga Prokuroria e Shtetit nga departamenti i krimeve të rënda të tre të dyshuarit do të ndalohen do t mbahen në kohëzgjatje prej 48 orësh”, tha në “Lajmet e fudit”, në RTK, Laureta Ulaj.
Tutje, ajo tha se në këtë fazë të hetimeve nuk mund të japin të dhëna të tjera.
Kurse, Policia e Kosovës ka njoftuar, gjatë të premtes, se ka arrestuar dy persona të cilët lidhen me vrasjen e një gruaje në rrugën “Dalip Alshiqi" në Prishtinë të mërkurën në mbrëmje.
“Si dihet, me datën 29.11.2023, rreth orës 20:20, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën "Dalip Alshiqi" në Prishtinë. Policia si dhe mjekët emergjent, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në një veturë kanë hasë një person pa shenja jete. Vdekjen e viktimës (femër) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, ka sqaruar për RTK, zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.
Policia në koordinim me prokurorinë, ka nisur hetim dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit, ka thënë ajo.
“Pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprimeve intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin e sipër shënuar. Njësiti i hetimeve të përgjithshme të Prishtinës në koordinim me Prokurorinë është duke e vazhduar operacionin e bastisjes në dy lokacione në Gjakovë”, njofton zëdhënësja e Policisë së Kosovës.
Në mesin e të arrestuarve është edhe një pjesëtar i FSK-së. Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës ka konfirmuar se në mesin e të arrestuarve, si të dyshuar në vrasjen e Liridona Murselit, në Prishtinë, është edhe pjesëtari i FSK-së, K.K.
“Organet e drejtësisë janë duke hetuar rastin, por gjithashtu ky rast do të trajtohet edhe brenda organeve përgjegjëse të FSK-së, sipas rregulloreve dhe ligjeve në fuqi. Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës shpreh ngushëllime të sinqerta familjes së viktimës. Siguria dhe mbrojtja e qytetarëve tanë është obligim”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.
Lidhur me këtë ngjarje, përmes rrjetit social Facebook, kanë reaguar shumë personalitete politike dhe aktivistes së shoqërisë civili. Ata kanë dënuar ashpër këtë akt kriminale dhe kanë përgëzuar për angazhimin, policinë dhe të prokurorinë në zbardhjen e këtij rasti të rëndë.