Në tremujorin e parë të vitit 2018 importet janë rritur me 9,6 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të 2017, sipas INSTAT. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të importeve, janë: “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me +3,3 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +2,5 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me +1,1 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të importeve ka ndikuar negativisht grupi: “Produkte kimike dhe plastike” me -0,7 pikë përqindje. Deficiti tregtar arriti vlerën 71 mld lekë, duke u rritur me 1,4 %, krahasuar me të nëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas INSTAT, Në muajin Mars 2018, vendet kryesore me të cilët Shqipëria ka pasur rritje të eksporteve, në krahasim me Mars 2017 janë: Italia me (1,1 %), Spanja me (162,1 %) dhe Gjermania me (25,0 %). Ndërsa vendet kryesore me të cilat eksportet kanë pasur ulje janë: Kosova me (-13,2 %), Kina me (-35,2 %) dhe Maqedonia me (-20,0 %) . Gjatë këtij tremujori, vendet kryesore me të cilët Shqipëria ka pasur rritje të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia me (5,4 %), Spanja me (138,2 %) dhe Gjermania me (37,0 %). Ndërsa vendet kryesore me të cilat eksportet kanë pasur ulje janë: Kosova me (-1,2 %), Kina me (-4,5 %) dhe Maqedonia me (-7,1 %). Në muajin Mars 2018, vendet kryesore me të cilët Shqipëria ka pasur rritje të importeve, në krahasim me Mars 2017 janë: Italia me (1,7 %), Gjermania me (18,6 %) dhe Kina me (15,9 %). Ndërsa vendet kryesore me të cilat importet kanë pasur ulje janë: Turqia me (-4,0 %), Greqia me (-2,5 %) dhe Serbia me (-38,7 %).
Gjatë këtij tremujori, vendet kryesore me të cilët Shqipëria ka pasur rritje të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia me (6,7 %), Gjermania me (9,8 %) dhe Greqia me (14,4 %). Ndërsa vendet kryesore me të cilat importet kanë pasur ulje janë: Serbia me (-16,1 %), Spanja me (-0,4 %) dhe Egjipti me (-17,3 %). Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 70,2 %, të gjithë tregtisë. Në Mars 2018, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 80,0 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 65,3 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (34,8 %), Gjermania (9,7 %), Greqia (6,7 %) dhe Kina (6,1 %). Shkëmbimet tregtare, për tremujorin e parë 2018, me vendet e BE zënë 68,5 % të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar – Mars 2018, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 80,2 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 62,5 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (35,8 %), Gjermania (7,6 %), Greqia (6,9 %) dhe Kina (6,3 %).
Sipas llogaritjeve të BE, Shqipria importon mallra apo shërbime me një vlerë sa afro 45 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që eksportet e saj janë vetëm sa 27.4 për qind të PBB-së. Kështu, ne regjistrojmë një bilanc negativ tregtar prej afro 2.4 miliardë eurosh në një vit. I cili lehtësohet disi nga prurjet valutore të emigrantëve, që llogariten sa afro 6 për qind të Prodhimit vendas.
Tregtia me Kosovën
Tregtia e Shqipërisë me Kosovën ka nisur të tkurret edhe pa nisur të aplikohet taksa mbi Rrugën e Kombit. Sipas të dhënave të INSTAT, në muajin mars, eksportet drejt Kosovës ranë me 13.2%, gjithashtu edhe importet ranë me 1.1%. Në muajin mars 2018, eksportet me Kosovën shënuan 1.48 miliardë lekë, nga 1.71 miliardë lekë që ishin në marsin e kaluar, ose 225 milionë lekë më pak. I vetmi shtet me të cilin Shqipëria ka suficit tregtar është Kosova. Eksportet drejt saj më 2017 ishin rreth 20 miliardë lekë, me një rritje 26% në krahasim me 2016. Por në raportin me totalin e eksporteve të Shqipërisë, ato zënë një peshë të vogël, vetëm 9% të totalit. Shqipëria, rreth 80% të eksportit e ka me Italinë, ndërsa me vendet e tjera, treguesi ka zhvillime modeste. Kosova është partneri i dhjetë tregtar i Shqipërisë në eksporte. Aktualisht partneri kryesor tregtar i Kosovës është Serbia, me të cilën realizon 12% të eksportit dhe 14.6% të importeve. Por në rast se taksa në Rrugën e Kombit do të nisë aplikohet, tregtia ndërmjet shteteve të të njëjtit komb do të përkeqësohej.
Aktualisht, marrëdhëniet tregtare ndërmjet dy vendeve reflektojnë dobësitë strukturore të ekonomive respektive. Eksportet janë lëndë të para dhe prodhime bujqësore pa ndonjë vlerë të shtuar. Ndërsa Shqipëria dhe Kosova e kanë ekonominë të profilizuar në konsum, i cili në të dy shtetet financohet nga prurjet e emigrantëve në një masë të madhe. Teksa blloku i Lindjes u shkëput nga regjimi totalitar, Kosova dhe Shqipëria u gjendën në kushte të ndryshme, pa një histori bashkëpunimi ekonomik dhe partnerë tregtarë të ndryshëm. Në fund të vitit 2017, eksportet drejt Kosovës zunë 7.6% të totalit, teksa panë rritje 28% në krahasim me vitin 2017.
Mallrat më të eksportuara me Kosovën janë produktet e naftës dhe të hekurit dhe materiale të tjera të ndërtimit si tulla, çimento, frutat dhe perimet. Importet janë në nivele të ulëta. Shqipëria importon nga Kosova vetëm 3% të totalit. Më 2016, ato arritën në vetëm 8 miliardë lekë dhe dominohen kryesisht nga pijet, artikuj të gizës, teksa shihet se vitet e fundit janë rritur ndjeshëm importet e drithërave. Megjithatë, flukset tregtare të Kosovës nuk zënë as 3% të volumit tregtar të Shqipërisë me jashtë. Që në vitet e para të tranzicionit, kur Kosova ishte e pandarë nga juridiksioni serb, Shqipëria krijoi lidhje tregtare me Italinë.
Sot, partnerët tregtarë të Shqipërisë janë vendet e BE-së, teksa Kosova kishte burimet tradicionale të furnizimit të saj me mallra Serbinë dhe ish-republikat e tjera të ish-Jugosllavisë. Ndërsa Kosova ka eksportues të parë Shqipërisë dhe për nga importet, Shqipëria renditet e shtata, në listën e vendeve më të cilat Kosova bën tregti.
Përparësitë e tregut të përbashkët
Për shkak të bazës së ulët, rritja ekonomike si në Shqipëri dhe Kosovë është më e larta në rajon, por të ardhurat për frymë janë nivelet më të ulëta në rajon. Dy shtetet kanë strukturë të ngjashme të ekonomisë. Bujqësia zë 10% të strukturës së PBB-së në Kosovë dhe në Shqipëri mbi 23%. Sektori i industrisë zë më shumë se 10% të PBB-së së Kosovës, ndërsa në Shqipëri 11%. Sektori i tregtisë zë 12% në Kosovë dhe po kaq zë edhe në PBB-në e Shqipërisë. Edhe sektorët e tjerë kanë peshë të ngjashme. Përpos shumë ngjashmërive në strukturën ekonomike, mentaliteti është i njëjtë në të dy anët e kufirit dhe këto elemente janë të mjaftueshme për të krijuar një treg të përbashkët unik.
Kosova ka sipërfaqe 11 mijë kilometër katrorë dhe popullsi 2 milionë banorë, Shqipëria ka sipërfaqe 28 mijë kilometër katrorë dhe 2.8 milionë banorë. Nëse do të unifikoheshin rregullat e tregtisë, taksat dhe politikat ekonomike, tregu i përbashkët do të kishte rreth 5 milionë konsumatorë në një territor prej 39 mijë kilometrash katrorë. Në këtë mënyrë, shqiptarët do të krijonin bashkësinë më të madhe në rajon pas Serbisë.
Duke pasur ende forcën e punës në kulmin e produktivitetit, Kosova dhe Shqipëria në një treg unik do të ishin një ofertë joshëse për kompanitë e huaja si në aspektin e tregtar ashtu dhe në prodhimin e manifakturës. Kjo dëshirë e hershme e bizneseve për një treg unik në fakt nuk është bërë pjesë e axhendave të përbashkëta të qeverive, edhe pse spektakli në këtë drejtim nuk ka munguar. Por tani kur bota është përfshirë në një cikël të gjatë krize, shtetet të vogla si Shqipëria dhe Kosova, do të duhen të bashkohen në tregje më shumë si nevojë emergjente për mbijetesë se sa për dëshirë patriotike.