Janë vendosur tre urdhra bllokimi ndaj kompanisë, e cila po ndërton autostradën Tiranë-Elbasan.
Shoqëria Copri-Aktor, e cila sipas kontratës po ndërton lotin e parë dhe të tretë të kësaj autostrade ka marrë një tjetër goditje në llogaritë dhe aksionet e saj.
Sekuestroja më e fundit është vendosur gjatë prillit mbi llogaritë dhe aksionet e kompanisë ndërkohë që dy të tjerat i përkasin fundit të muajit shkurt. Referuar urdhrave të zyrave të përmbarimit detyrimet e saj janë ndaj palëve të treta në shuma që shkojnë mbi 10 milionë lekë ndërkohë që ka fatura që i përkasin vitit 2014 për të cilat nuk është bërë ende pagesa.
Për shkak të humbjeve të vazhdueshme, kompania rezulton me kapital negativ prej 5.3 miliardë lekësh (gati 40 milionë euro) në bilancin e vitit 2016, duke qenë praktikisht e falimentuar.
Që nga viti 2012 kur ka nisur ndërtimi i rrugës Tiranë- Elbasan janë shfaqur problematika serioze me rrëshqitjen e dherave dhe shkëmbinjve ku vetëm rasti i fundit i pak mujave më parë llogaritet me një kosto 4 milionë euro ndërkohë që rruga vijon të mbetet e bllokuar.