Vodafone dhe Telecom Albania do të jenë të detyruar që të rikthejnë sërish ofertat 30 ditë të paketave celulare nga data 1 qershor, ndërkohë që prej pak javësh operatori Albtelecom po ofron tashmë paketa 30 ditore.
Detyrimi për Vodafone dhe Telecom Albania ka ardhur nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), i cili në mbledhjen e fundit ka miratuar “Detyrimin e sipërmarrësve e komunikimeve elektronike Vodafone Albania dhe Telekom Albania që duke filluar nga data 1 qershor 2018 të rikthimit të vlefshmërisë së paketave standarde bundle të shërbimit celular me parapagim nga 28 ditë në mujore (30 ditore)”.
Tre operatorët celularë, Vodafone, Telecom Albania dhe Albtelecom në mars dhe prill të vitit 2016 bënë ndryshimin e periudhës së përdorimit nga 30 në 28 ditë për 4-5 programe standard. Ky veprim u shoqërua me ankesa nga konsumatorët dhe shoqatat për mbrojtjen e konsumatorëve.
AKEP u kërkoi që në maj 2016 informacion nga tre operatorët celularë për ndryshimin e kryer në kohëzgjatjen e ofertave 30 ditore. Vodafone u përgjigj se gëzon lirinë ekonomike për të vendosur përveç të tjerave kohëzgjatjen dhe kushte të tjera për paketat/ofertat që hedh në treg.
Edhe Telekom Albania tha se Praktika e zbatimit të vlefshmërisë 28 ditore (4 javore) përdoret gjerësisht nga operatorët mobile në nivel Industrie. Sipas Albtelecom, nuk ka asnjë kufizim ligjor apo rregullator që vendos kufij minimale apo maksimale të afatit të vlefshmërisë së ofertave dhe paketave të telefonisë celulare.
Autoriteti i Konkurrencës ka zhvilluar një procedurë hetimore në përfundim të së cilës Komisoni i Konkurrencës ka vlerësuar se ndryshimi i kohëzgjatjes së paketave standarde nga 30 ditë në 28 ditë bën që konsumatori të faturohet rreth 13 muaj në vit në vend të 12 muajve, duke çuar në një rritje vjetore prej rreth 6.5% të buxhetit të shpenzuar nga konsumatori për këtë shërbim.
Një klient pagoi 908 lekë më shumë në vit
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka bërë një vlerësim të efektit financiar në dëm të konsumatorëve nga ndryshimi i kohëzgjatjes së paketave. Kështu në rastin e aplikimit të kohëzgjatjes 30 ditore të shërbimit të ofruar nëpërmjet paketave bundle (miks telefonata, mesazhe, internet) me parapagesë, përdoruesi faturohet rreth 12.17 periudha në vit (365/30), ndërsa në rastin e faturimit 28 ditor, përdoruesit do të faturohet 13.04 periudha në vit (365/28), çka sjell një rritje të periudhës së faturimit me 7.14%.
Duke ju referuar paketës me tipike mikse që ka një vlerë 1 mijë lekë nëse në rastin e faturimit 30 ditor përdoruesi do të paguante 12,167 lekë në vit, me ndryshimin e ri tashmë ai do të faturohet 13,075 lekë në vit, pra rreth 7 për qind më shumë.