Shqipëria ka rendimentin për mbledhjen e të ardhurave më të ulëtin në Evropë, por kjo nuk e ka penguar që të rrisë vazhdimisht borxhin publik, në nivelin më të lartë në rajon, por edhe ndër kryesuesit në Evropë.
Edhe planet për uljen e borxhit janë shtyrë vazhdimisht në kohë.
Të ardhurat që u mblodhën në buxhet në vitin 2017 ishin sa 27% e prodhimit të brendshëm bruto (27.7%, duke përfshirë edhe ndihmën), sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave.
Ndonëse në rritje në raport me vitet e kaluara, ato mbeten më të ulëtat në Evropë dhe shumë më poshtë sesa mesatarja e rajonit (me përjashtim të Kosovës, që është një shtet relativisht i ri).
Nivelin më të lartë të të ardhurave në rajon, sipas të dhënave nga pasqyra ekonomike globale e FMN e kanë Serbia, Bosnja dhe Mali i Zi që mbledhin mes 42-44% të prodhimit të brendshëm bruto. Maqedonia i ka ulur ndjeshëm të hyrat buxhetore, në rreth 28.3% të PBB-së, nga mbi 32% që i kishte disa vite më parë, si rrjedhojë e uljes së taksave.
Në krahasim me rajonin, Shqipëria ka dhe nivelin më të lartë të taksave (TVSH, tatim fitimin, sigurimet shoqërore), së bashku me Serbinë, por kjo e fundit ka rendimentin shumë më të lartë sesa ne.
Mesatarja e Bashkimit Evropian, sipas të dhënave të fundit të Eurostat është rreth 45%, ku kryesojnë Suedia, Belgjika, Danimarka, Finlanda, Franca, që mbledhin të ardhura më shumë sesa gjysma e asaj që prodhon ekonomia në një vit.