Një turist i huaj por jo vetëm, duhet të paguajë mesatarisht 35 euro deri në 45 euro natën, nëse do të zgjedhë një dhomë hoteli në Tiranë apo dhe në bregdet. Në një intervistë për televizionin SCAN, kreu i shoqatës Hoteleri-Turizëm, Zak Topuzi dhe kreu i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa deklarojnë se nuk ka rritje të theksuar çmimesh në sezonin e këtij viti, krahasuar me një vit më parë .
Ajo që ngelet problem sipas Topuzit është mungesa e kapaciteteve dhe cilësia e shërbimit. Vendi ynë vijon të ngelet prapa krahasuar me rajonin në këtë drejtim, duke përjashtuar hotelet e reja ku sipas kreut të Unionit Turistik Shqiptar Rrahman Kasa, turistët e parë të sezonit shprehen të kënaqur.
Aktualisht, numri i shtretërve që ofron vendi ynë për këtë sezon turistik është 70 mijë, në një kohë që pritet një numër i lartë turistësh të huaj. Por ajo që vihet re është se tregu është formalizuar që prej uljes së TVSH me 6%. /Scantv