Kongresi i Bukureshtit dhe financimi i ndërhyrjes ushtarake
Shekulli i 19-të dhe fillimi i shekullit të 20-të janë karakterizuar nga luftëra të shumta, të cilat në thelb i dhanë zhvillimi edhe tregut të obligacioneve. Gjatë luftërave, qeveritë kishin nevojë për shumë para, në mënyrë që të financonin armatimet e operacionet ushtarake. Në fakt, studiues të ndryshëm të historisë ekonomike botërore janë të mendimit se nëse nuk do të ishin luftërat, në shekullin e 19-të, shtetet do të kishin fare pak nevojë që të emetonin obligacione.
Obligacionet e luftës ishin letra me vlerë të lëshuara nga qeveritë, të cilat bliheshin edhe nga tregtarët ose popullata në terësi, që kishin një periudhë kohore të caktuar maturimi, kundrejt një interesi të paracaktuar.
Veç interesave të përvitshme që përfitonin ata që kishin blerë letrat me vlerë të qeverive, në fund të periudhës së maturimit, paratë të cilat ishin paguar i ktheheshin sërish blerësit duke përbërë kështu një alternativë investimi, sikurse edhe sot.
Obligacionet e luftës zakonisht janë emetuar me vlerë të ulët me qëllim që të mund të blihen nga sa më shumë qytetarë, pra duke krijuar mundësinë si për investitorë të vegjël por në shkallë të gjerë, ashtu edhe për investitorë të mëdhenj.
Madje, nuk kanë munguar as rastet kur obligacionet ishin me vlerë shumë të vogël pasi kishin si synim “thyerjen e derrkucëve” të fëmijëve të shkollave që kursenin para. Obligacionet e huave të luftës shoqëroheshin zakonisht me elementë nacionalistë e thirrje patriotike me qëllim që të ngjallnin reagime emocionale e të kishte sa më shumë mobilizim për blerjen e tyre nga popullata.
Si lindi ideja për huanë e luftës
Në vazhdën e këtyre zhvillimeve, Shqipëria nuk ka mbetur jashtë, pavarësisht stadit të zhvillimit ekonomik e financiar në të cilin ishte në fund të shekullit të 19-të e fillim të shekullit të ‘20.
Në këtë periudhë, kur kishte nisur procesi i revoltave e më pas i shpërbërjes së Perandorisë Osmane e kur Shqipëria po bëhej gati të dilte më vete, ishin të shumtë pretendentët për fronin shqiptar(kryesisht të huaj, por që pretendonin se kishin lidhje gjaku me Shqipërinë e madje me figura të ndritura të historisë).
Në listën e pretendentëve për fronin e Shqipërisë në fillimin e shekulli të ’20, para shpalljes së Pavarësisë ishte edhe princ Albert Gjika, një rumun me origjinë shqiptare, pinjoll i familjes me origjinë shqiptare të Gjikajve që kishin sunduar në Moldavi e Vllahi në shekujt e 17-19 (familje nga e cila rridhte edhe Elena Gjika apo Dora D’Istria).
Stefanaq Pollo, në studimin e tij për pretendentët e fronit të Shqipërisë të vitit 1987, shkruan se “Gjika vendosi kontakt me rrethet patriotike shqiptare me anë të letërkëmbimit dhe me takime të drejtëpërdrejta duke vizituar qytete të ndryshme”.
Po ashtu, ai shpërndau thirrje drejtuar popullit shqiptar, kartolina, flamuj shqiptarë duke përfshirë këtu edhe shami xhepi ku ishin stampuar shqiponja dykrenare dhe fotografia e gruas së tij me kurorën princërore në kokë.
Nga ana tjetër ai botoi artikuj e organizoi konferenca për të bërë të njohur veten e tij dhe idetë e tij. Pollo shkruan gjithashtu se “ai gjeti përkrahjen sidomos te Faik Konica që kërkonte ta kishte nën ndikimin e tij”.
Në periudhën 10-23 prill të vitit 1905 në Bukuresht u organizua Kongresi Kombëtar Shqiptar. Mediat raportuan se në kongres ishin 2 mijë delegatë dhe se sipas vendimeve të këtij kongresi u krijua një komitet qendror prej 4 vetash me emrin “Kombi” duke pasur Gjikën si president të përjetshëm.
Në bazë të vendimit të këtij kongresi, misioni ishte shpallja e pavarësisë së Shqipërisë duke përfshirë trevat e vilajeteve të Shkodrës, Kosovës, Selanikut, Manastirit e Janinës.
“Kongresi vendosi që të rrëmbeheshin armët kundër Turqisë ose çdo pushtuesi tjetër dhe emëroi Albert Gjikën si udhëheqës të kryengritjes me fuqi diktatoriale” shkruan në studimin e tij Pollo.
Bllokimi i shpërndarjes së obligacioneve shqiptare
Për të siguruar mjetet financiare për të cilat kishte nevojë një sipërmarrje e tillë u shpall një hua prej 10 milionë franga dhe u emetuan obligacionet përkatëse me prerje 10 franga secila. Në gazetën “Laimtari i Shqypënies (L’araldo d’Albania)” që ishte organi zyrtar i komitetit drejtues të kongresit u publikua edhe imazhi i obligacionit të emetuar në kuadër të huasë së luftës.
Studiuesi Baki Ymeri, në një artikull të disa viteve më parë me titullin “Gazeta të vjetra të Shqipërisë” ka publikuar edhe gazetën ku ishte postuar fotoja e obligacionit dhe disa detaje të tjera që përmbante ajo.
Obligacionet që mbanin datën 15 maj 1905 ishin të mbushur me simbolika shqiptare e me thirrje patriotike. Paratë që do të arkëtoheshin nga shitjet e tyre do t’i shkonin Arkëtarit të Kryekomitetit në Romë, Cesare Rivera.
Ndërsa te “Diturija” e Lumo Skëndos e vitit 1927 jepen detaje të mëtejshme për përmbajtjen vizuale të huasë së luftës. Në njërën anë letra me vlerë e emetuar ishte me ngjyrë të kaltërt ndërsa në anën e pasme me ngjyrë të verdhë.
Në pjesën e përparme të saj ishin Bardhyli dhe Teuta ndërsa në pjesën e pasme imazhet e Skënderbeut, Aleksandrit të Madh e të figurave të tjera. Obligacionet nuk kishin një afat kthimi të përcaktuar megjithatë në to shkruhej se ato do të konvertoheshin në monedhë kombëtare “porsa të vihet në këmbë sundimi kombëtar i Shqipërisë”.
Ndërsa po bëhej gati shpërndarja e obligacioneve, shkruan Pollo, dogana rumune i sekuestroi ato që mundi të shtinte në dorë dhe ia kaloi çështjen e tij gjyqit duke e akuzuar për mashtrim. Ndërsa te “Dituria” e Lumo Skëndos e vitit 1927 shkruan se “gjyqi për këtë paudhësi nuk u ndoq”.
Në këtë mënyrë, ndërhyrja e armatosur në Shqipëri nuk po arrinte të gjente financimin e kërkuar. Pas bllokimit të huasë, veprimtaritë e Gjikës u vështirësuan nga masat e marra nga policia rumunë e cila filloi të ndalonte mbledhjet e organizuara prej tij në Rumani. Mosrealizimi i planit të kryengritjes së përgjithshme në vjeshtën e vitit 1905 e bërë Gjikën që të ndryshonte strategji.
“I bindur që s’mund të bëhej gjë pa u mbështetur te një fuqi e madhe, ai iu drejtua Austro Hungarisë për një ndihmë të menjëhershme prej 250 mijë frangash për të blerë armë e municione për kryengritjen, për kryerjen e së cilës duheshin gjithsej 3 milion franga” shkruan Pollo më tej në studimin e tij.
Po në fakt, ky fond nuk do të sigurohej. E në këtë studim sillet edhe një letër e Gjikës ku shkruante se : “në qoftë se ne nuk nxjerrim të holla nga xhepat tanë, asnjeri nuk do të na ndihmojë dhe nuk është mirë të kërkojmë të holla nga të huajt për të filluar fushatën kombëtare”. E në këtë rast, alternativa që mbetej sërish ishte emetimi i obligacioneve të luftës që do të bliheshin nga shqiptarët.
Por zhvillimet e mëvonshme e sidomos revolucioni xhonturk i vitit 1908 i dha një ritëm të ri lëvizjes kundër Perandorisë Osmane, duke nxjerrë jashtë fokusit aksionin e planifikuar nga Gjika për t’u financuar nga shqiptarët përmes blerjes së obligacioneve.
Në ditët në vijim do të lexoni:
Si funksionoi tregu i obligacioneve në Shqipëri gjatë Luftës së Parë Botërore?
Emrat, kush bleu obligacionet e Perandorisë Austro-Hungareze? Kreshnik KUÇAJ/ Portali ekonomik SCAN