Nga Kastriot Dervishi
Komunistët mbajnë si udhëheqës të luftës së tyre civile dhe për pushtet, Enver Hoxhën. Në të vërtetë ky nuk ka qenë gjë tjetër veçse ekzekutor i vendimeve që merrnin udhëheqësit politikë e ushtarakë, Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha. Urrejtjen që këta kishin ndaj shqiptarëve nacionalistë e demonstronin me veprime gjakatare ndaj tyre, siç edhe ka ndodhur.
Në mars 1944, udhëheqësi ushtarak më i lartë i LANÇ-it, Dushan Mugosha, zhvilloi në Panarit të Korçës (një fshat i thellë ku ishte strukur e rrinte rehat shtabi komunist) një kurs me karakter politik dhe ushtarak me kuadrot e partisë dhe ushtrisë komuniste. Në përfundim të kursit janë bërë dy foto: njëra ku Dushani është në këmbë (nuk po e paraqesim, pasi ajo nuk është botuar ndonjëherë e për rrjedhojë nuk është retushuar) dhe tjetra ku Dushani është ulur me armë në dorë. Pikërisht fotoja e dytë është në e retushuar në librin “Enver ynë” (Tiranë 1988) të autorit Ramiz Alia. Krejt e masakruar. Synohet që referuesi i kursit të dalë Enver Hoxha, kur në të vërtetë ai është një prej nxënësve aty. Çuditërisht, në këtë foto Dushani është pa mustaqe. Pasardhësi i Hoxhës, ndonëse nuk u shqua për bollëk botimesh, në ato pak libra që nxori nuk mund t’i shmangej traditës së censurës. Këtu dy foto kanë qenë në shtëpi të Ramiz Alisë. Ato janë bërë pjesë e Arkivit të PPSH-së më 10.3.1983 kur Alia ia ka dhuruar. Punonjësit e arkivit kanë listuar në origjinalin e fotos 33 persona, por duke pasur të paqartë 6 emra të fotos në fjalë.
Disa nga emrat e censuruar të fotos nga origjinali janë: Bedri Spahiu, Koçi Xoxe, Dushan Mugosha, Nesti Kerenxhi, Ymer Dishnica, Iljaz Ahmet, Fiqret Shehu.