Nga Kastriot Dervishi
Në vijim të ciklit të gjatë për manipulimet e fotografive historike, sot kam përzgjedhur fotografinë nga kongresi i parë i grave antifashiste që u mbajt në Berat në tetor 1944, në sallën ku u mbajt edhe mbledhja e dytë e KANÇ-it. Në këtë kongres erdhi një delegacion i madh i grave jugosllave, i kryesuar nga shoqja Brana Peroviç. Ishin gratë jugosllave që u morën me organizimin e kongresin, materialet, formën, programin, etj. Të tjerat ishin sa për dekor. Shumica as dinin gjë çfarë bënin aty. Mirëpo, historiografia komuniste nuk mund ta përmendte një fakt të tillë. Për këtë arsye, ustallarët e propagandës i hynë një qethje të thellë. Vëreni origjinalin e fotos (sipër) me karnavalin që kanë botuar në albumet poshtë. Me këtë rast, kanë fshirë edhe Fiqret Shehun dhe Naxhije Dumen. Rreshti i parë ka pësuar “masakrën” më të madhe, shoqet jugosllave që e “donin fort” Shqipërinë kanë avulluar. Çuditërisht, këto ditë pashë në një faqe injorantësh enveristë, foto të kësaj kohe, teksa gratë jugosllave i paraqisnin si “luftëtare shqiptare”. Edhe sot, enveristët nuk rrinë dot pa gënjyer e mashtruar publikisht. Zanatin e vjetër nuk e harrojnë dot. Madje veprimet jugosllave duan t’i shesin si veprime shqiptare.