Nga Namir Lapardhaja
Prokurori: “...Kanë propaganduar me çdo mënyrë kundër reformave të pushtetit si dhe kanë nxitur për një luftë botnore të re dhe me punën që bënin kanë dashur që vendi ynë të okupohesh nga Anglo-amerikanët.”
Rezistenca antikomuniste në vitet e para të pushtimit komunist ka qenë e fortë. Në të u përfshinë njerëz të shkolluar brenda dhe jashtë vendit. Duke e njohur shijen e lirisë, këta njerëz qenë të parët që e kuptuan mashtrimin e madh komunist të parrullës së “Shqipërisë demokratike”. Shumë syresh e kishin ndeshur terrorin komunist edhe gjatë viteve të luftës, ndaj nuk kishin asnjë iluzion se ky terror do të thellohej në emër të zhdukjes së çdo lloj opozitarizmi me diktaturën gjakatare e primitive që po instalohej.
Sipas dokumentave të dosjes së gjyqit, Organizata “Bashkimi shqiptar”, u inicua nga Sami Ceribashi, i cili erdhi në Berat në muajin qershor 1945 dhe u takua me Hamit Myftiun, Ushtar Numanin, Hajri Kuçin, Tajfur Haznedarin, Ahmet Tozharin.
Komiteti Qarkor i “Bashkimit Shqiptar” për Qarkun e Beratit u krijua në mbledhjen e organizuar në shtëpinë e Hajri Kuçit, ku u zgjodhën: kryetar Hamit Myftiu, ish-deputet në parlamentin shqiptar të periudhës së Mbretit Zog, nënkryetar Sherif Sevrani, sekretar Pandi Kondi, arkëtar Tajfur Haznedari dhe antarë Ushtar Numani, Riza Kaceli, Ahmet Tozhari dhe Hajri Kuçi.
Më vonë (gjithmonë sipas dosjes së gjyqit komunist) në Bashkimin Shqiptar bashkohen edhe mjaft figura të tjera nga qyteti i Beratit, si Dituri Protopapa, profesore e diplomuar në Itali, përgjejgjëse e rinisë në formacionet partizane, Mexhit Daiu nga Elbasani, profesor muzike, i diplomuar në Rumani, Yzedin Haznedari, Xhevair Beshiri, Tako Baçi, ish-drejtues i lartë i formacioneve partizane etj.
Në komitetet krahinore, që u krijuan në Qarkun e Beratit bënin pjesë Ramadan e Hysen Velmishi, Xhezmi Risilija, Qemal e Behar Strumi, Irfan Vrioni, baba Bedri Cakrani i Teqesë së Gjerbësit, Kamber Hima, Mehdi Velçani, baba Bajrami i teqesë së Plashnikut, Veli Dollani, dervish Reiz Shehu i Çorrogjafit etj.
Kur nisën arrestimet dervish Reizi, siç ka treguar më pas, vendos të arratiset për t’i shpëtuar kasapanës komuniste. Bën debat me gruan e tij të re, me një djalë ende në djep. Gruaja e luste të mos arratisej. Kur e pa se nuk ia ndryshonte mendjen e mallkoi: “Mos t’i pafsha sytë sot e dyzetë vjet.” Ditën që u kthye nga ekzili Reiz Shehu, me përkthimin e tij interesant të poezive të Rumiut në çantë, ende pa u takuar me gruan, iu drejtua: “T’u thaftë goja, moj grua, se more më qafë një popull të tërë! Plot 40 vjet! Të më kishe mallkuar të paktën me 20!”
Si pjesë e “Bashkimin shqiptar” u dënuan mjaft intelektualë si Kostaq Stefa, Vexhi Buharaja, Selami Tepelena, Andon Ziu, etj, për të cilët është folur edhe gjetkë.
Në këtë shkrim do të ndalemi te një nga të dënuarit e gjyqit të “Bashkimit shqiptar”, Kamber Hima nga Rehova e Beratit, për të cilin nuk është folur dhe shkruar. Gjyqi kundër tij dhe një grupi të madh të “Bashkimit shqiptar” u zhvillua dy ditë pas gjyqit të grupit kryesues të kësaj organizate, ku Bexhet Mema, kryetar i trupit gjykues, dënoi me vdekje Hamit Myftiun, Tajfur Haznedarin, ndërsa dha dënime të ashpra për mjaft të tjerë.
Në dosjen e gjyqit të Kamber Himës shkruhet: “Sot më 2. 1. 1948, ditën e premte, ora 9 paradite u mblodh në sallën e gjykimeve për të filluar gjykimin kontra: Dituri Protopapa, Hysen Velmishi, Mexhit Daiu, Irfan Vrioni... Bedri Cakrani, Kamber Hima... etj. Të gjithë të pandehurit, të pakënaqur nga pushteti popullor janë aktivizuar nërmjet njëri – tjetrit dhe kanë qënë antarë të organizatës tradhëtare Balli Kombëtar dhe më vonë ia ndryshuan emrin “Bashkimi shqiptar”. Të pandehurit mbas aktivitetit të tyre kanë ngritur komitetet krahinorë.” etj. dhe konkretisht për Kamber Himën: “I pandehuri Kamber Hima ka marrë pjesë vullnetarisht në organizatën “Bashkimi shqiptar” me detyrë si antar i Komitetit krahinor të Plashnikut, në bashkëpunim me Mehdi Velçanin, Veli Dollanin, baba Bajram Plashnikun e të tjerë. I pandehuri ka qenë në lidhje direkte me antarin e Komitetit Qarkor të kësaj organizate në Berat, Ahmet Tozharin, që sipas udhëzimeve të këtij të fundit, kanë ngritur organizatën krahinore të Plashnikut dhe kanë sabotuar direkt dhe indirekt interesat e Pushtetit popullor n’interes t’imperialistëve Anglo-amerikanë.”
Se si i kanë sabotuar direkt dhe indirekt interesat e pushtetit popullor, nuk thuhet asgjëkundi në këtë dosje.
Kamber Hima në fjalën e tij në gjyq, sipas dosjes, u shpreh se e pranonte pjesërisht akuzën. Se kishte biseduar me miqtë e tij për mundësinë e një ndërhyrjeje nga jashtë të anglo-amerikanëve dhe se shpresa qe te Abas Ermenji me organizimin që do të kishte bërë me anglo-amerikanët. Gjithashtu më poshtë ai shprehet: “Si organizatë, nuk di të ketë pasur... për Tiranë nuk di gjë se me kë kishin lidhje.”
Prokurori Aranit Çela, gjatë pretencës shprehet: “Të pandehurit mbas aktivitetit të tyre kanë ngritur komitetin krahinor si dhe grupet ndër fshatra dhe kanë mbajtur lidhje të rregullta me Komitetin Qarkor të Beratit dhe kjo e fundit, me anë të korrierëve të ndryshëm, ka mbajtur lidhje me Komitetin Qarkor të Tiranës, ku ka raportuar punën e sejcilit të gjithanshme që kanë bërë në sektorët e tyre. Kanë propaganduar me çdo mënyrë kundër reformave të pushtetit si dhe kanë nxitur për një luftë botnore të re dhe me punën që bënin kanë dashur që vendi ynë të okupohesh nga Anglo-amerikanët.”
Asnjë veprim konkret, asnjë fakt konkret, vetëm propagandë tipike staliniste, propagandë që do ta zvetënonte dhe do ta çonte në mjerim ekonomik e shoqëror këtë vend. Ndërsa fraza “si dhe kanë nxitur për një luftë botnore të re dhe me punën që bënin kanë dashur që vendi ynë të okupohesh nga Anglo-amerikanët.”, kalon çdo fantazi edhe të një njeriu anormal. Si si do të shkaktonin luftën e re botërore disa qytetarë shqiptarë, këtë vetëm mendja diabolike kriminale e prokurorëve komunistë mund ta artikulonte. Kjo akuzë të kujton akuzën e të njëjtëve kundër priftërinjve katolikë për djegjen e Xhordano Brunos që u artikulua në gjyqin e at Zef Pllumit.
Mjaft cinik është raporti që i dërgon kryetari i “kasapanës” gjyqësore Bexhet Mema gjykatës së lartë: “I dënuari Kamber Hima është antar i Komiteti krahinor të Plashnikut. Ka qenë me Ballin para shlirimit dhe tash në bashkëpunim me Ahmet Tozharin, baba Bajramin, Veli Dollanin e të tjerë kanë bërë çmos për të përmbysur pushtetin e sotshëm.” Më poshtë i kërkon asaj gjykate të miratojë vendimet e gjykatës së Elbasanit.
Dënimin më të rëndë në këtë gjyq e mori baba Bedri Cakrani, 32 vjeç, i cili u dënua me vdekje. 31-vjeçari Kamber Hima u dënua me 15 vjet burg, por nuk arriti të dilte i gjallë. Pas dy vjetësh ai ndërroi jetë, në moshën 33-vjeçare në kampin e tmerrshëm të Bedenit në Kavajë, të cilin me mjaft mjeshtëri e përshkruan at Zef Pllumi, kur thotë se ai shpëtoi nga ky kamp i vdekjes falë breshkave, të cilat i kapte dhe i gatuante.