Vasil Shanto nuk u vra në luftë me pushtuesin, po shoqëronte një oficer jugosllav

Hënë, 21 October 2019 16:35
Faksimile e dëshmisë së oficerit jugosllav. Djathtas, drejtuesi ushtarak i komunistëve të Shqipërisë, Dushan Mugosha dhe Vasil Shanto Faksimile e dëshmisë së oficerit jugosllav. Djathtas, drejtuesi ushtarak i komunistëve të Shqipërisë, Dushan Mugosha dhe Vasil Shanto

Nga Kastriot Dervishi

Ndoshta pak vetë e dinë që në 28 nëntor 1948 Presidiumi i Kuvendit Popullor e shpalli Vasil Shanton, Hero Kombëtar, d.m.th. baras me Skënderbeun. Emrin e Shantos e mbajnë sot me shumicë e tepri, lagje, rrugë, shkolla, etj. Është bërë edhe filmi i gënjeshtërt artistik “Militanti”, që RTSH-ja dhe stacionet televizive të tjera e japin deri 2-3 herë në ditë në mënyrë që të vijojnë besnikërisht mashtrimet e propagandës komuniste. Filmi pasqyron të njëjtat gënjeshtra si edhe materialet e tjera të shkruara gjatë komunizmit. Normalisht në këtë rrethanë është e ligjshme të pyesësh se çfarë paska bërë ky individ që shteti paska kaq shumë detyrime ndaj tij. A thua është përpjekur për tërësinë territoriale të shtetit shqiptar, apo ka pasur funksione të larta shtetërore e ka dhënë ndihmë të jashtëzakonshme. Për të mësuar të vërtetën, mjafton të shohim dokumentin e kohës, i botuar i censuruar në botimin e vitit 1986 të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, kushtuar heronjve, të cilit i është hequr pjesa thelbësore. Vasil Shanto nuk u vra as në përpjekje me gjermanët, as me ballistët, as me “reaksionin” dhe as për “çlirimin e atdheut”, por në krye të një detyre private, për të cilën mbase edhe mund të jetë paguar. Ngjarjen e dëshmon personi që ngeli gjallë, i quajturi Naun Zafirof ishte oficer i ushtrisë mbretërore jugosllave i zënë rob nga partizanët e Titos. Pasi lihet i lirë në Kolashin të Malit të Zi, kërkon të kthehet në vendlindje, në Ohër. Atje njihet me oficerin Rifat Manjani, i cili e prezanton me Vasil Shanton. Këta e kërkojnë Vasilin të bëhet shoqëruesi i tyre dhe ky i fundit pranon. Ka qenë një udhëtim që është ndërprerë nga një pritë e rastësishme xhandarmërie, e cila ka synuar ndalimin e katër njerëzve të armatosur pa e ditur fare se kush ishin ato. Me Vasilin ishte edhe një komunist tjetër.

***

Procesverbali i marrjes në pyetje të ish togerit të ushtrisë jugosllave Naun Zafirof, i biri i Metodis dhe i Katerinës, i vitlindjes 1915, lindur e banues në qytetin e Ohrit. Të pranishëm në marrjen në pyetje, datë 14.2.1944, ora 16.00 në zyrën e adjutanturës së Qarkut të Xhandarmërisë Shkodër: kapiten Pjetër Gurakuqi, aspirant Hil Shllakun, sekretar kapter Nush Shtjefni. Deklarimi si më poshtë: 

Unë kam qenë në qytetin Kolashin të Malit të Zi si rob i partizanëve të Titos, ku kam qëndruar qysh në muajin dhjetor 1943. Në Kolashin jam njohur më parë me kapiten Manjanin, i cili dhe ka qenë zënë rob prej partizanëve. Me kapiten Manjanin lidha miqësi, duke shfaqur dëshirën të ktheheshin te shtëpitë tona, ai në Dibër e unë në Ohër. Manjani më tha se kishte njohur një të quajtur Vasil,  i cili i kishte dhënë fjalën se do ta çonte deri në Shkodër. Atëherë edhe unë e luta që të fliste dhe për mua me këtë Vasilin. Më vonë e njoha personalisht Vasilin, duke u takuar 4-5 herë vetëm për pak minuta dhe kemi biseduar vetëm për çështjen e udhëtimit të projektuar, d.m.th. kemi rënë dakord që të niseshin për në Shkodër. Më vonë kam njohur edhe Reshitin. Më 29 janar 1944 jemi nisur të katërt prej Kolashinit. Çështjen e lejes e kishte rregulluar Vasili me partizanë dhe ai na printe gjithkund. Më 30 janar kemi mbërritur në katundin Bioçe dhe më 31 janar ora 5.00 të mëngjesit mbërritën në Kosorr afër kufirit të Shqipërisë. Këtu kemi ngrënë e kemi pirë duke marrë bukë me vete. Jemi nisur e kemi udhëtuar gjithë natën, herë rrugë e herë nëpër male deri sa kemi hasur me patrullat e xhandarmërisë dhe rezultati dihet. Gjatë udhëtimit, Vasili na porositi që ecnim me vëmendje dhe pa grike se mund t’u hetonim nga ndonjë patrullë.  Duke ardhur në shqipëri, sipas fjalës së Vasilit, ishim të sigurt se do të vinim shëndoshë se kështu na e kishte premtuar ai, prandaj u nisëm me konviksion të plotë se nuk do na gjente gjë. Deklaroj se qysh kur kemi hyrë në kufi të Shqipërisë e deri ku ka ndodhur ngjarja, nuk kemi hyrë në asnjë shtëpi shqiptare, as kemi ngrënë bukë e as kemi fjetur. Kemi ngrënë vetëm ushqimin që kemi pas marrë me vete në katundin Kasorr dhe kemi pushuar jashtë disa herë pa hyrë brenda në ndonjë shtëpi. Unë kam qenë i armatosur me një “Mashinë” dore tip angleze e cila ka pas një krah me 32 fishekë. Vasili ka pas edhe ai një Mashinë” të tipit gjerman, por nuk di sa municion ka pasur, mbaj mend që ka pasur tre krehra në çantën e “Mashinkës”, të cilët sigurisht do kenë qenë të mbushur. Më duke ka pasur edhe një revolver, por nuk e mbaj mend mirë. Vasili ka pas edhe bomba dore, por nuk di sa. Unë për vete nuk kam pasur bomba. Kapiten Manjani ka pas një pushkë të gjatë jugosllave dhe një revolver gjysmë automatik dhe një rrip fishekë. Reshiti ka pasur “Mashinë” gjermane. Nuk mbaj mend të ketë pasur bomba apo jo. “Mashinën” mua ma dhanë partizanët në Kolashin nja dy ditë para se të nisesha në Shqipëri. Për t’u liruar prej tyre unë kisha marrë një raport nga doktori se vuaja nga zemra dhe se nuk mund t’i  bëja ballë mundimeve, nuk mundja të haja ushqimin e partizanëve dhe kështu armën ma dhanë për udhëtim. Unë e kam ditur se Vasili dhe Reshiti ishin komunistë, por si unë, ashtu edhe kapiten Manjani kemi udhëtuar me ta vetëm të na tregonin rrugën deri në Shkodër. Këtu Manjani do paraqitej te një personalitet i quajtur Gjon Marka Gjoni dhe prej këtij do të merrnim leje për të vazhduar udhëtimin tonë në Dibër dhe Ohër. Me vete kam pasur një dokument timin personal, të cilin ma kanë marrë xhandarët. Qysh prej katundit Kosorr e gati deri në kufi, na ka përcjellë një katundar, ndërsa prej kufirit shqiptar e këtej, ju betohem se nuk na ka përcjellë njeri. Në rastin që jemi takuar me xhandarët, Reshiti ka qenë ndarë prej nesh. Ne të tre tentuam të iknim nga një rrugë që të çonte rrëzë malit, por edhe atje e kemi parë veten të rrethuar. Atëherë unë, duke e parë veten në rrezik, pasi xhandarët po shtinin gjithnjë kundra nesh, bërtita: “Mos shtini, mos shtini” dhe kam hedh “Mashinën” në tokë. Jam zënë rob. Nuk kam mundur të shti asnjë fishek sepse ndjekja na u bë shumë e shpejtë. Gjithashtu kujton se edhe kapiten Manjani nuk ka shtirë. Ndërsa Vasili edhe mbas dorëzimit tim ka hedhur bomba e ka qëlluar mbi xhandarët. Reshiti nuk di se çfarë drejtimi kishte marrë. Po ju deklaroj se unë nuk jam partizan, por kam qenë rob i tyre. Nuk kam pasur qëllim tjetër për të ardhur në Shqipëri, përveç këtyre që deklarova më sipër. Unë jam ushtar. Përgjithësisht me politikë nuk jam marrë. Vetëm fati i luftës më ka ndjekur që të bie rob ndër partizanë dhe të takohem me dy komunistët shqiptarë në rrethanat që tregova. Shtoj se unë kam luftuar kundër komunistëve në vendin tim dhe prandaj paq rashë rob. Gjithashtu në rastin e ndjekjes pre xhandarmërisë nuk kam shtënë kundër tyre me armë. Prandaj kjo tregon se unë nuk kam pasur qëllime komuniste.

(botohet me korrektim letrar)

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...