1924/Parlamenti shqiptar nuk mbajti zi për Leninin, deputetët u tallën me propozimin

E Enjte, 06 February 2020 16:41
Selia e Kuvendit Kushtetues dhe procesverbali i diskutimeve Selia e Kuvendit Kushtetues dhe procesverbali i diskutimeve

Nga Kastriot Dervishi

Më 4 shkurti 1924 në Kuvendin Kushtetues të Shqipërisë (kati i dytë i Akademisë së Shkencave sot), në fillim të mbledhjes deputeti Reuf Fico propozoi mbajtjen e zisë për nder të presidentit amerikan Willson, si një detyrim moral ndaj përkushtimit të tij ndaj çështjes shqiptare. Fill pas mbajtjes së kësaj zie, deputeti Jashar Erebara-sekretar i Kuvendit, i shtyrë nga Avni Rustemi në pushim të seancës, kërkoi mbajtjen e zisë edhe për Leninin meqë sipas tij ai paska qenë për një “Shqipëri të madhe”. Kërkesa e Erebarës shkaktoi një ilaritet në sallë për faktin se Lenini ishte bolshevik dhe se të gjithë e dinin se ky propozim nuk ishte i tij. Në këto kushte për të mbrojtur drejtpërdrejt këtë propozim, e mori fjalën vetë Avni Rustemi. Fjala e tij nga historiografia komuniste është marrë sikur ai i imponoi Kuvendit Kushtetues mbajtjen e zisë për Leninin. Ndërsa në një film artistik kushtuar Avni Rustemit jepet në krahun tjetër të sallës Ahmet Zogu i inatosur. Në fakt kjo i bën nder Ahmet Zogut, por e vërteta është se sipas procesverbalit, ai nuk ka qenë fare i pranishëm në këtë seancë, por është shprehur kundër këtij propozimi jashtë Kuvendit Kushtetues kur çdo gjë kish mbaruar. Nga sa kuptohet në fjalët e deputetëve, zia në Kuvendin Kushtetues nuk është mbajtur për Leninin por për Vani Cico Kosturin, familjes të të cilit i është dërguar edhe një telegram. Nga kjo del që është vetëm falsifikim ajo që është thënë sikur në Kuvendin Kushtetues të Shqipërisë është mbajtur zi për Leninin.  

Mbledhja e 7-të e Kuvendit Kushtetues

E hënë 4 shkurt 1924

(Deputetët që mungonin: Ahmet Zogu, Aqif Elbasani, Fahri Rashid, Faik Konica, Ferid Vokopola, Hoxha Kadri, Izet Didra, Jan Papadhopullo, Kostaq Kotta, Kostaq Paftali, Kristaq Kosturi, Lon Llogori, Milto Tutulani, Nikollaq Zoi, Pandeli Evangjeli, Sami Vrioni, Shazivar Alltuni, Terenc Toçi) 

RAUF FICO: Zoti kryetar! Pa hyrë në bisedimin e rendit të ditës, dua të bëj një propozim. Me hidhërim morëm vesh se ish-kryetari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës  W. Wilsoni vdiq. Duke marrë parasysh shërbimet e mëdha që i ka bërë Shqipërisë, propozoj të bëhen 5 minuta pushim si shenjë hidhërimi edhe t`i hiqet një telegram ngushëllimi familjes së të ndjerit.

(Pranohet. Bëhen 5 minuta pushim dhe pas 5 minutash mbledhja mblidhet prapë).

JASHAR EREBARA: Para se të hymë në bisedim, propozoj të bëhen 5 minuta pushim edhe për Leninin, se në qoftë se Willson-i do të flitëte për të mirën e Shqipërisë, ma tepër do të flitëte Lenini për një Shqipëri të madhe.

(Ilaritet në sallë)

AVNI RUSTEMI: Më vjen shumë keq zoti kryetar që kur përmendet emri i Leninit dëgjohen qeshje nga ana e disa përfaqësuesve të kombit. Nuk dua që Shqipëria të jetë bolshevike, sepse gjendja dhe pozita e saj nuk e do, por për principet e larta njerëzore duhet që me një respekt të zihet në gojë emri i tij. E dini fare mirë zotërinj, se qysh ai mbrojti principet e larta të njerëzisë e se qe i pari që denoncoi traktatin e fshehtë të 1915 që ishte për copëtimin e Shqipërisë. E dija se propozimi i bërë prej zotni Erebarës nuk do të pranohej, por neve megjithatë e kemi për detyrë të propozojmë që të bëhen 5 minuta pushim si shenjë hidhërimi për vdekjen e tij.

EQREM VLORA: Për nderin e kaq mijë shpirtrave që theri me duar të tija?…

ALI KËLCYRA: Zoti kryetar! Në këtë rast që po nisim të bëjmë 5 minuta pushim për njerëz të huaj, më duket se do të ishte më e drejtë të bëjmë edhe 5 minuta pushim për ata që kanë derdhur gjakun për krijimin e Shqipërisë e që këtë tokë e kanë vaditur me gjakun e tyre. Mbasi sot po shkojmë  nga jeta në armiqësi dhe e intrigave fqinjore, propozoj të bëhen 5 minuta pushim për Vani Cico Kosturin, të cilit i kanë dekë të vrarë i biri nga ana e grekëve dhe i nipi nga ushtria turke dhe t`i hiqet një telegram ngushëllimi familjes së tij.

(Bëhen 5 minuta pushim dhe pas 5 minutash mbledhja mblidhet prapë).

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...